Lacio u ndal në javën e 14-të, vetëm në një barazim ndaj Fiorentinës. Kryeqytetasit kryesonin që nga minuta e 25-të, me golin e De Vrij. Avantazhi i ekipit të Simone Inzagit vazhdoi deri në sekondat e fundit, ku u akordua një penallti e kontestuar me anë të teknologjisë VAR.
Në minutën e 93-të, Babakar shënoi nga pika e bardhë, duke mposhtur Strakoshën, i cili nuk kishte çfarë të bënde, dhe Fiorentina doli me një pikë plot vlera nga fusha e “Olimpikos”. Tashmë, Lacio mbetet në vendin e 5-të, me 29 pikë, dhe humbi shansin për të kaluar Romën në renditjen e përgjithshme.