Policia u ka shkuar në ndihmë 8 turistëve holandezë të cilët kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit të Majës së Murgës, ndërsa mësohet se njërin prej tyre e kishte pickuar gjarpri.
Pas 5 orë kërkimesh, të gjithë turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore dhe u shoqëruan nga punonjësit e Policisë në destinacionin ku ishin akomoduar.
“Salla Operative e Komisariatit të Policisë Pukë mori njoftim se grupi i turistëve kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit të Majës së Murgës dhe njëri prej tyre ishte pickuar nga një gjarpër.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Pukë, së bashku me Ekipin e zjarrfikësve të Bashkisë Pukë, u nisën në drejtim të zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët.
Grupi i Forcave Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, së bashku me një ekip mjekësor, shkuan në ndihmë turistit të lënduar nga pickimi i gjarprit, i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë vijuar kërkimet për gjetjen e pjesës tjetër të grupit.
Pas 5 orë kërkimesh, të gjithë turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore dhe u shoqëruan nga punonjësit e Policisë në destinacionin ku ishin akomoduar”, njofton policia./Opinion.al
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë.