Enver Hoxha, diktatori i hekurt i Shqipërisë, tregon historinë e jashtëzakonshme të një njeriu që mbajti një vend të tërë peng për 40 vite– dhe iku bashkë me të.
Nga Alexis Sakalis, Open demokarcy
Mes viteve 1944 – 1985, vendi i vogël Ballkanik, Shqipëria u qeveris nga një diktator i çuditshëm, sociopatik dhe tërësisht i çmendur që quhej Enver Hoxha. Në një kohë kur Stalinizmi efektivisht kishte marrë fund me vdekjen e atij që i dha emrin, ose të paktën me reformat e Hrushovit që e ndoqën, ai vazhdoi të ekzistonte i pamposhtur dhe i padiskutueshëm në Shqipëri, deri në vitin 1990.
Kur Hoxha vdiq në vitin 1985, Shqipëria ishte zyrtarisht vendi i tretë më i varfër në botë, me GDP sa një qytet i vogël dhe të ardhura mujore 15 dollarë. Katër dekada koletivizim e çuan vendin në uri, ku për shkak të izolimit agresiv të Hoxhës njerëzit përdornin ende metoda të vjetra të vitit 1920 në bujqësi.
Kur më në fund regjimi ra, pak vite pas vdekjes së Hoxhës, ai la pas një popull të lodhur, të uritur, konfuz dhe të trembur.
Shqiptarët shkonin drejt demokracisë ashtu si urithët drejt rrezeve të diellit, të paktë ishin ata që kishin kohën apo dëshirën të reflektonin mbi njeriun që i drejtoi me një mizori të paimagjinueshme për më shumë se 4 dekada.
Enver Hoxha: Grushti i hekurt i Shqipërisë, i gazetarit Blendi Fevziu, është biografia e parë e vërtetë e diktatorit, që botohet. Pasi ka njohur popullaritetin e gjerë, por dhe kundërshti në vendin e tij, ky libër vjen në anglisht për herë të parë.
Enver Hoxha lindi në qytetin jugor të Gjirokastrës – në atë kohë pjesë e Perandorisë Otomane – në vitin 1908. Ai duket se shmangu babanë e tij, një imam i thjeshtë, që e braktisi të birin në rini për të shkuar në SHBA, ku punoi për disa vite, ndërkohë që Hoxha preferoi xhaxhanë e tij, Hysen Hoxha, kryetar i Bashkisë së qytetit dhe një ateist radikal dhe anti-kolonialist.
Pavarësisht kësaj, Fevziu argumenton se Hoxha nuk kishte shfaqur shumë interes gjatë shkollës së mesme në Korçë. Ai u largua për të studiuar botanikë në Universitetin e Montpeljesë në Francë, edhe pse sikurse kishte treguar vete, nuk kishte interes për këtë fushë. Ai braktisi studimet dhe udhëtoi drejt Parisit, ku prezantohej si përfaqësues i lëvizjes komuniste shqiptare, duke e integruar veten në rrethin e botuesve dhe artistëve komunistë të qytetit.
Ndërsa ishte atje, mori pjesë në disa prej festave të shthurura të marksistit Paul Vaillant-Couturier. Ndoshta këtu ai i formoi bindjet e tij të para politike. Mbeti një frankofil përgjatë gjithë jetës, një prej pak vendeve me të cilat mbante disi marrëdhënie.
Pas kthimit në Shqipëri, Hoxha bëri disa punë të çuditshme, përpara se të përfshihej me rezistencën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Brenda pak vitesh – Hoxha, njeri pak i njohur dhe pak i pëlqyer – e orientoi veten në udhëheqjen e partisë.
Siç e pranon edhe vetë Fevziu, ky mbetet një nga misteret më të mëdha në historinë e Shqipërisë. Shumë i dedikohet miqësisë rastësore me dy agjentë misteriozë jugosllavë, që drejtonin efektivisht Partinë Komuniste Shqiptare si një përfaqësim i partizanëve të Titos.
Fevziu studioi një kohë të gjatë për këtë kapitull të veçantë dhe mendon se jugosllavët ishin ata që e sollën Hoxhën në pushtet dhe e ndihmuan të konsolidohej në vitet e çmendura të post-luftës. Përkundër kësaj, Hoxha i prishi lidhjet me Titon në vitin 1948, së bashku me pjesën tjetër të Paktit të Varshavës.
Më vonë ai do të shkëpuste marrëdhëniet edhe me Bashkimin Sovjetik (Hrushovi ishte një tradhtar dhe revizionist, sipas tij) duke krijuar një aleancë të vështirë me Kinën, që zgjati derisa ky vend u hap me perëndimin në vitet ’70. Kur Hoxha u shkëput nga Kina në vitin 1978, Shqipëria ishte duke fluturuar tërësisht e vetme.
Një lajtmotiv i dëshpëruar që përshkon librin është paranoja e Hoxhës për sptastrimet. Në fillim ato kishin një kuptim kontekstual. Sigurisht ai do të ekzekutonte kolaboracionistët dhe kundërshtarët politikë – kështu ndodhi.
Por shumë shpejt ai nisi të ekzekutojë rivalët brenda partisë, duke përfshirë edhe ata që vetëm pak vite më parë kishin qenë heronjtë e luftës. Të gjithë disidentët u shkatërruan, po kështu edhe klerikët e aristokratët.
Miqtë e vjetër të shkollës së mesme dhe asaj të lartë, gjithashtu u spastruan; njeriu që i dha Hoxhës bursën e tij për të studiuar në Francë u ekzekutua, ndërsa ishte njëkohësisht miku që e lejoi të jetonte në apartamentin e tij në Paris, pa qera.
Ish -Kryeministrat, firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1912 dhe themelues të Partisë Komuniste ishin viktima të ekzekutimeve të shumta që ishin të ashpra deri në vitin 1980.
Hoxha gjithashtu zhduku shumë nga intelektualët, në masë të tillë që me vdekjen e Hoxhës, askush në Byronë Politike, të mos kishte më shumë se sa shkolla e mesme. Një nga pozicionet më të rrezikshme për t’u mbajtur gjatë regjimit të Hoxhës – ishte i Ministrit të Brendshëm-, ai i vrau të gjithë, një e nga një.
Një grua – bashkëshorti i së cilësu ekzekutua nga Hoxha – shpjegon në libër: shumë shqiptarë kanë patur ide të mëdha se si ta qeverisnin vendin pas Çlirimit – por vetëm Hoxha ishte një gjendje të vriste edhe kunatin e tij – për t’i realizuar këto ide.
Në vitin 1967, Hoxha e ktheu Shqipërinë në shtetin e parë ateist. Ai mbylli kishat dhe xhamitë e madje shkatërroi disa objekte të besimit, me vlerë të çmuar kulturore. Klerikët ishin mes grupeve më të përndjekura, me shume pak të mbetur gjallë për të treguar të vërtetën. Në një histori të dëshpëruar, një prift është ekzekutuar, sepse kreu një pagëzim në shtëpinë e një çifti. Hoxha, madje ndaloi edhe mjekrën për shkak të lidhjes së saj me Islamin dhe Kristianizmin Orthodoks.
Ai krijoi një kult personal, ndoshta të barabartë vetëm me atë të Kim Jong-Il në shekullin XX. Veprat e tij të botuara, të cilat edhe për nga standardi ishin poshtëruese si biografi të një shenjti, qenë të detyruara për lexim në shkolla.
Hoxha – apo xhaxhi Enver siç i pëlqente ta thërrisnin – forcoi kultin e tij me shkrimin e historive të mërzitshme në libra, ku e prezantonte veten mes të tjerash si themelues të Partisë Komuniste Shqiptare dhe si figurën më të rëndësishme në luftën partizane.
Sigurisht, kjo shkaktoi disa ngrysje vetullash mes veteranëve të lëvizjes, edhe pse vetëm fatlumët që arritën të dilnin jashtë Shqipërisë, mundën të jetonin për ta treguar historinë.
Hoxha gjithashtu e mbajti popullin në gjendje frike të vazhdueshme nga rreziku i një pushtimi të huaj. Në ndjekje të këtij blofi, Hoxha ndërtoi rreth 750,000 bunkerë në të gjithë vendin, veçanërisht në bregdet dhe përgjatë kufijve me Greqinë dhe Jugosllavinë, por edhe në qytete, parqe dhe vende të tjera të zakonshme në dukje.
Edhe pse i kushtonte një sasi të madhe parash buxhetit të shtetit, ky projekt paranojak u mori jetën shumë ndërtuesve, që në pjesën më të madhe ishin klasë punëtore. Arkitekti i bunkerëve Josif Zagali, u dërgua në një kamp pune, në një nga persekutimet e shumta dhe të pakuptimta të Hoxhës.
Në fillim të viteve ’60, Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të Partisë filluan ta kufizonin veten në një zonë të izoluar të Tiranës, e njohur si Blloku.
Hermetikisht të mbyllur nga pjesa tjetër e Shqipërisë, Hoxha dhe miqtë e tij shumë rrallë guxuan të dalin jashtë këtij rrethimi, duke preferuar t’i marrin vendimet mbi vendin, brenda dhomave dhe salloneve të tyre.
Kapitulli i Bllokut është shkruar me të gjitha intrigat distopiane (të pakëndshme dhe johumane) të një historie të J.G. Ballard. Ka dyqane speciale për të blerë ushqimet më të mira dhe veshjet perëndimore, një shtëpi argëtimi ku mund të shihen filmat e ndaluar perëndimorë dhe farmaci me medikamente perëndimore të blera nga agjentët shqiptarë jashtë vendit. Çdo luks i mohuar për pjesën tjetër të vendit ishte i vlefshëm për kompleksin e privilegjuar.
Megjithatë qëndrimi brenda Bllokut nuk ishte një masë e sigurtë në ato kohë të trazuara, dhe familjet shpesh duhet të kryenin martesa mes njëra-tjetrës për të forcuar aleancat dhe për të garantuar siguri politike, që ndonjëherë arrinte në fejesa ganti inçestore.
Të kishe një fëmijë që mund të martohej me një nga fëmijët e Enver Hoxhës ishte qëllim që shumë familje e aspironin, edhe pse Hoxha kishte vrarë kunatin e tij dhe që ky gjest nuk tregonte siguri.
Jo se brenda Bllokut kishte ndonjë gëzim. Paranoja dhe frika ishin të zakonshme, ndërsa familjet përndiqeshin kur ta ndjente Hoxha duke i zëvendësuar me familje të tjera “nga jashtë”, të dëshpëruar për të hyrë brenda botës së krijuar si një glob dëbore.
Kur djali i Mehmet Shehut, të cilin Hoxha po e përgatiste si zëvendësuesin e tij, vendosi të martohej me një vajzë jashtë Bllokut– një volejbolliste simpatike që quhej Silva Turdiu – shkaktoi shok në komunitet. Sikurse Fevziu shkruan, “ajo nuk e dinte [e fejuara e Shehut] se e kishte projektuar veten në qendër të një stuhie të tmerrshme politike.”
Ngjarja përfundon me fejesën e anuluar, e gjithë familja Shehu u persekutua dhe Mehmet Shehu vdiq në një vetvrasje aparente.
Hoxha – një tiran i egër, sociopatik, vrasës masiv– iku nga kjo jetë si një njeri i lirë. Vdekja e tij u shoqërua me shtatë ditë zi. Kujtimet e tij, të botuara në 13 vëllime, ishin tregues të një njeriu, që e kundërshtonte shprehjen e famshme të Oscar ëilde: asnjë njeri nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e tij.
Libri i Fevziut nuk e lejon këtë padrejtësi. Puna e tij kërkimore e përpiktë, e ndihmuar edhe nga hapja e arkivave konuniste të mbyllura më parë, nënvizon tmerret e një njeriu dhe regjimit të tij, të cilat duhet t’i shohin të gjithë.
Libri i tij është gjithashtu i rëndësishëm për një tjetër arsye: ai u jep zë të vdekurve, të zhdukurve, të larguarve dhe të persekutuarve, që janë sjellë në jetë përmes një sërë skicash që përshkojnë librin. Duke u dhënë atyre një zë dhe një histori, diçka që Hoxha dëshpërimisht kërkoi t’ua mohojë, është ndoshta arritja më e madhe e Fevziut.