Holanda dhe Danimarka do të dorëzojnë një numër të paspecifikuar avionësh luftarakë F-16 në Ukrainë kur të plotësohen kushtet për transferimin e tyre. Këtë e konfirmoi kryeministri holandez Mark Rutte ndërsa presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky vizitoi vendin e tij.
Rutte tha se Holanda ka 42 F-16 në dispozicion gjithsej, por është shumë herët të thuhet nëse do të dhurohen të gjithë. “Sot ne mund të njoftojmë se Holanda dhe Danimarka angazhohen për transferimin e avionëve F-16 në Ukrainë dhe Forcat Ajrore të Ukrainës”, tha ai në një konferencë me Zelenskyn.
Ky është angazhimi i parë real për furnizimin me F-16 për Forcat e Armatosura të Ukrainës , i cili vjen vetëm disa ditë pasi SHBA miratoi dërgimin e mundshëm të avionëve luftarakë nga Holanda dhe Danimarka.