Një person është arrestuar pas protestës që u zhvillua të martën para Bashkisë së Tiranës.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë 49-vjeçari, Sokol Bushkolaj nga Thumana.
Mësohet se ndaj tij rëndojnë disa vepra penale si prishja e qetësisë publike, shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, shkatërrim i pronës me zjarr, goditje për shkak të detyrës dhe vrasje me dashje e mbetur në tentativë.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 28.05.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin:
– S. B., 49 vjeç, banues në Thumanë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë. Ky shtetas është ndaluar dhe më datë 08 maj, në lidhje me protestën e datës 07 maj 2024.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. B., 22 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.