Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Historia e takimeve Alia – Berisha në Dhjetor 1990!

2016/12/11 at 4:06 PM
në Komente, Kryesore, Te Fundit
Kohë leximi: 7 min
A A
Sali Berisha: Shqiptarët e prishën kontratën me mua, respektova vendimin e tyre 

“Mëngjesin e datës 9 dhjetor kisha lënë një takim për kafe me Kujtim Çashkun dhe Besnik Mustafajn tek 15-katëshi. Asnjë nga ne nuk dinte gjë”.


Sali Berisha, kardiologu që më pas do të bëhej Presidenti i parë i Shqipërisë postpluraliste e kujton kështu mëngjesin e 9 Dhjetorit 1990 në një intervistë të 14 viteve më vonë:

“Pak më vonë erdhi Qemal Sakajeva me dikë tjetër. Më tha: “Studentët mbrëmë kanë dalë në demonstrata, i kanë rrahur, kanë arrestuar shumë në 02.00 të natës”. U gëzova. Ikim,- ju thashë Besnikut dhe Kujtimit. U nisëm të tre. Arritëm të penetrojmë me ta pas shumë kohe nëpër një rrugicë që është përtej Televizionit Shqiptar. Për fatin tonë, dolëm ballë tyre.

Studentët ishin të vendosur midis Liceut dhe rezidencës së ambasadorit italian. Brohorosnin: “Poshtë Dinastia”. Aty pashë për herë të parë Azem Hajdarin, i cili ngrihej mbi supet e studentëve. Pas 10 minutash, jo më shumë, policia ndërhyri brutalisht, në mënyrë mizore kundra tyre. Ishte një skenë shumë dramatike. Pas rreth 7-8 minutash, ata u shpërndanë. I thashë drejtuesve të policisë që ishin aty: “Bëtë një ndërhyrje barbare. Unë do t’ju denoncoj, do të njoftoj gjithë botën për aktin barbar, sepse këta nuk po bënin asgjë, përveçse hidhnin parrulla”. Më thanë: “Jo, na gjuajtën me gurë”. Asnjë gur nuk u hodh, s’kishte gurë fare.”

Po atë mbrëmje, Sali Berisha u nis në drejtim të Qytetit Studenti, me bindjen se mes studentëve kishte të lënduar dhe kishin nevojë për një mjek. Në një intervistë të viteve më vonë, ai deklaronte:  “Shkuam lart, tek konviktet na dolën para: më thanë të kemi kërkuar. Ju thashë nuk di gjë”.

Bashkë me kardiologun Sali Berisha ishte edhe Besnik Mustafaj, njeriu i vetëm që kishte një njohje me Azem Hajdarin dhe mund të fliste me të. “Ne u ngjitem që në drekë në Qytetin Studenti, sqaron Besnik Mustafaj vite më vonë. Në fakt, unë u ngjita me tepër për të mos e lënë vetëm Saliun se nuk kam ndonjë dell heroi.

Ishte ora 16.00 e 9 dhjetorit 1990, një ditë që po hynte befas në historinë e Shqipërisë.

“Ishte pikërisht kjo dite, kur unë për herë të parë prezantova Sali Berishën me Azem Hajdarin, dhe kur Saliu u foli studentëve per pluralizmin, vijon Besnik Mustafaj”.

“Aty takova Azemin, sqaron në një intervistë të vitit 2004 Berisha. Më nxori një listë ku ishin edhe kërkesat e tyre. Në fakt, aty ishte edhe pluralizmi. Ju thashë mbani vetëm këtë”.

Sali Berisha dhe Besnik Mustafaj zbritën sërish poshtë, me kërkesën e vetme të studentëve që të interesoheshin për shokët e tyre në spital dhe ata që ishin ndërkohë në burg. Nuk kish asnjë statistikë, asnjë listë, por shumica e studentëve besonin se të arrestuarit duhet të ishin me qindra, të plagosurit po ashtu dhe duhej të kishte të vrarë. Siç rezultoi më vonë, asnjë prej të dhënave nuk ishte e saktë. Studentët e plagosur nuk qenë strehuar në spital, ndërsa të arrestuarit qenë vetëm 32 vetë.

Por demonstrata e përsëritur, ishte bërë tashmë lajm ndërkombëtar. Pak para mesditës me orën amerikane, lajmi u bë publik nga agjencia Rojter. Lajmi që do të jepej atë mbasdite në VOA do të ishte lajmi që do ta mësonin të gjithë shqiptarët.

Ndërkohë, Sali Berisha dhe Besnik Mustafaj kishin mbërritur në zyrën e Robert Kolit, sekretar i Partisë së Tiranës. Në prani të Xhelil Gjonit, Sali Berisha kërkoi që studentët të liroheshin, duke kërcënuar se ata do të zbrisnin mbasdite në qytet nëse kjo nuk ndodhte. Xhelil Gjoni i telefonoi Ramiz Alisë për t’i thënë se dy veta po sillnin lajme nga Qyteti Studenti!

Në fakt, Sali Berisha nuk e dinte se ato momente përfaqësia e studentëve po gatitej të zbriste realisht në sheshin Skënderbej. Qe llogaritur që ata të zbrisnin grupe grupe drejt qytetit dhe në ora 19.00 të mblidheshin në shkallët e Pallatit të Kulturës për të kërkuar kështu mbështetjen e qytetit të Tiranës. Deri ato momente, banorët e Tiranës kishin hapur dyer, por nuk mund të thuhet ende se qenë solidarizuar me ta. Por vendimi përfundimtar do të merrej në një mbledhje që zhvillohej në mensën e Qytetit Studenti në ora 17.00.

Ndërkohë, në Komitetin e Partisë së Tiranës merr rrugë një ndër historitë më interesante të dhjetorit të vitit 1990. Një nga historitë, që do të vijonte të mbante peng thuajse gjithë tranzicionin shqiptar me misterin e saj. Takimi i Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së, Ramiz Alia, njeriu më i fuqishëm i regjimit, me kardiologun Sali Berisha, njeriu, që 48 orë më pas do të bëhej një ndër personazhet më të rëndësishëm të opozitës së re dhe do të dominonte për thuajse 20 vjet politikën postkomuniste. Po si ndodhi ky takim? Sa e rastësishme ishte përballja e dy njerëzve që befas po shkëmbeheshin në koridorin e historisë, në momentin e ndryshimit të sistemeve, njeri po dilte dhe tjetri po hynte? Ç’u bisedua në dy takimet që ata patën mbrëmjen e 9 dhjetorit dhe mëngjesin e datës 10? Përse Alia kërkoi të takonte Berishën dhe a pati marrëveshje mes tyre? Kjo hamendje ka mbajtur pezull për shumë kohë historinë e atyre ditëve dhe me sa duket do të mbajë edhe historinë e Shqipërisë që lidhet me këtë kapitull. Sepse një vit më pas, presidenti Ramiz Alia, do t’i linte vendin presidentit Sali Berisha, që do të bëhej lideri i parë postkomunist i Shqipërisë pas një historie 48-vjeçare të dominimit të tyre. Alia dhe Berisha nuk kanë nguruar asnjëherë të flasin për takimet mes tyre. Versionet e tyre nuk ndryshojnë në kohë dhe që duket se më shumë i mbeten përkimit të rastësisë. Por rastësi apo jo, duket se fati do t’i bashkonte dy njerëzit që do të bënin rrokadën më të fortë të pushtetit një vit e gjysëm më pas.

Alia gjithnjë deklaron se takimi i tij me Berishën ka qenë i rastësishëm siç deklaron edhe Besnik Mustafaj që ka qenë aty dëshmitar. Duke kujtuar bisedën me Xhelil Gjonin për lirimin e studentëve: “Sigurisht qe ai nuk pati guximin që të thotë menjëherë po, por u lidh në telefon me Ramiz Alinë ku i tha se ka persona që vijnë nga Qyteti Studenti. Menjëherë Alia kërkoi njërin prej nesh në telefon. Me të foli Sali Berisha i cili më pas u takua me Ramiz Alinë në një takim të shpejtë”.

“Më tha Xhelil Gjoni, a e takon Ramiz Alinë. E takoj i thashë, sqaron Sali Berisha në një intervistë!”

Berisha dhe Alia u takuan në shtëpinë e këtij të fundit, në Bllokun e udhëheqësve, në një takim që sipas tyre duhet të ketë zgjatur thuajse 15 minuta. Besnik Mustafaj e shoqëroi Berishën deri në hyrjen e shtepisë së Alisë, por vetë qëndroi jashtë.

Biseda e tyre ka mbetur thuajse e panjohur, me përjashtim të asaj që ata vetë kanë deklaruar më pas. Në një intervistë të vitit 2005, Alia sqaronte: “Një nga këta profesorë ishte Berisha, të cilit unë i kërkova që të shkonte të transmetonte nga ana ime fjalën se unë nuk shkova në orën 5.00 mbasdite tek studentët, sepse ata s’mbajtën fjalën në mengjes, s’vajtën në shkollë. I thashë se të nesërmen unë jam gati të vetë prapë tek ta, që nuk heq dorë nga takimi dhe biseda me ta. Kjo ishte tërë sa dija unë në atë kohë. Dhe këto janë fjalët e vetme që i kam thënë Sali Berishës”.

Edhe versioni i Berishës nuk dallon shumë nga ai i Alisë: “I them se studentët i kishin rrahur pasi ishin takuar me ju. Nuk e rreh kush dërgatën në botë as në kanun, as në ligj, asnjëherë. Kanë ardhur dhe keni nxjerrë njerëz për t’i rrahur”. “Po se i morën revolen, ia morën revolen oficerit- tha. Më pas me thotë: “Unë jam dakord të takohem me ta, ata kane kërkesa të cilat janë kështu si politike”. Unë i them: “Unë përfaqësoj veten time, unë atyre, ato që u thashë edhe ne mbledhje, nga e cila po vij, do t’u këshilloj të vendosin dialogun, ta zgjidhin me dialog, por është e rëndësishme qe kërkesat e tyre te merren seriozisht”.

Ramiz Alia ka dëshmuar gjithnjë se shkaku që thirri Berishën ishte se drejtuesit e protestës qenë nga Tropoja dhe ai kërkoi një njeri influent që të fliste me ta. Dy ditë më vonë, në mbledhjen e Plenumit ai sqaroi edhe Byronë Politike për faktin se cilët kishin qenë ndërmjetësit në takimin me studentët. Por ai dëshmon se Berishën, e kishin kërkuar vetë studentët: “Ndërkohë të dielën në darkë me ta vazhdonte të kishte kontakte Skënder Gjinushi  dhe nja 2 shokë të tjerë. Ishte ai Lisen Bashkurti dhe Sali Berisha që i kërkuan dhe ata” (Plenumi i 13 procesverbal).

Por Ramiz Alia nuk sqaron dot mirë një moment të dytë. Ai pretendon se Berisha është kthyer në mesnatën e 9 dhjetorit për t’i thënë se ata nuk pranonin gjë dhe nuk merreshin vesht: “E vërteta është se unë i thashë Berishës të transmetoj vetëm kaq nga ana ime dhe Berisha ka shkuar atje. Çfarë u ka thënë studentëve, unë nuk e di, s’jam fare në djeni për këtë. Ai është kthyer tek unë pas orën 12.00 të natës dhe më tha se me ata s’merresh vesh. Më tha, natën e mirë; i thashë natën e mirë. Kaq. Dhe unë me Berishën më nuk kam pasur kontakt”.

Me sa duket Alia gabon në kohë ose e afron qëllimisht takimin e dytë. Midis tyre qëndronte një natë e tërë. Në fakt, Berisha nuk u kthye atë natë tek Alia, nuk i dha atij asnjë përgjigje. Kjo ndodhi të nesërmen në mëngjes, më 10 dhjetor, rreth orës 10.00, kur regjistrohet edhe takimi i dytë mes tyre. Atë moment, Berisha kish kuptuar me sa duket se loja, ishte shumë më e thellë dhe se nga pluralizmi i ndante vetëm një hap.

Po ç‘kish biseduar Berisha me studentët. A i kish përcjellë ai fjalët e Ramiz Alisë, apo thjesht kish përdorur kartën e ndërmjetësit për t’u gjendur më bindshëm në tryezën e tyre kaotike. Personi i vetëm që e ka shoqëruar Berishën atë natë, Besnik Mustafaj e dëshmon kështu atë bisedë: “Në këtë moment mendova se detyra jonë përfundoi këtu. Isha pa drekë, pa cigare edhe i thashë Berishës të ikim. Aty ai me tha, jo se tani filloi. Ishte pikerisht momenti kur pashë tek Berisha, politikanin. Menjëherë ikëm sërish në Qytet Studenti aty ku Berisha takoi Azemin”.

(Marre nga libri “Piedestale pa statuja” i Blendi Fevziu ribotim i vitit 2010)

Etiketa: Azem hajdaribesnik mustafajdhjetor 1990KQ i PPSHLevizja Studentoreramiz Aliasali berishaXhelil Gjoni


Ju sugjerojmë

Sulmet e SHBA/ Ministri i Jashtëm iranian mbërrin në Moskë për bisedime me Putin
Bota

Sulmet e SHBA/ Ministri i Jashtëm iranian mbërrin në Moskë për bisedime me Putin

22 Qershor, 2025 10:41 pm
Auto-Skicë
Life Style

A është ky vendi ku filloi jeta? Zbulohet “Qyteti i Humbur” nën oqeanin Atlantik

22 Qershor, 2025 10:21 pm
Izraeli nis sulmet ndaj Iranit
Bota

Izraeli nis sulmet ndaj Iranit

22 Qershor, 2025 10:10 pm
Bombardimet e SHBA, IAEA:S’ka rritje të niveleve të rrezatimit në centralet iraniane
Bota

The Times/ Pyetjet e ngritura që duan përgjigje pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit

22 Qershor, 2025 9:56 pm
Sinjale misterioze perceptohen në Antarktidë
Life Style

Sinjale misterioze perceptohen në Antarktidë

22 Qershor, 2025 9:22 pm
Auto-Skicë
Bota

Kritikoi sulmet ndaj Iranit, Trump i përgjigjet republikanin Massie: Humbës patetik

22 Qershor, 2025 8:37 pm
Izraeli tjetër valë sulmesh mbi Iran, IDF: Në shënjestër infrastruktura ushtarake
Bota

Franca, Gjermania dhe Britani thirrje Iranit pas sulmeve të SHBA: Të negociojmë

22 Qershor, 2025 8:16 pm
Algjeri/ Festa e titullit kthehet në tragjedi, 3 të vdekur
Sport

Algjeri/ Festa e titullit kthehet në tragjedi, 3 të vdekur

22 Qershor, 2025 7:32 pm
Ambasadorja franceze: Mbështesim plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE
Aktualitet

Ambasadorja franceze: Mbështesim plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE

22 Qershor, 2025 7:01 pm
Hekurudha Durrës-Prishtinë, Rama: Franca do të përfshihet në ndërtimin e saj
Kryesore

Sulmet e SHBA në Iran, Rama: Shqipëria mbështet përpjekjet e Trump

22 Qershor, 2025 6:52 pm
Para
Jo-zyrtare/ Specifikat mahnitëse që pritet të ketë Samsung Galaxy S8

Jo-zyrtare/ Specifikat mahnitëse që pritet të ketë Samsung Galaxy S8

Incidente me zgjedhjet në Maqedoni: Aktivisti partiak kërcënon me vdekje vëzhguesin civil

Incidente me zgjedhjet në Maqedoni: Aktivisti partiak kërcënon me vdekje vëzhguesin civil

Zgjedhjet në Maqedoni/ Më shumë se 400 qytetarë të Shkupit nuk gjenden në listë 

Zgjedhjet në Maqedoni/ Më shumë se 400 qytetarë të Shkupit nuk gjenden në listë 
















TE FUNDIT

Sulmet e SHBA/ Ministri i Jashtëm iranian mbërrin në Moskë për bisedime me Putin

Sulmet e SHBA/ Ministri i Jashtëm iranian mbërrin në Moskë për bisedime me Putin
22 Qershor, 2025

Ministri i Jashtëm i Iranit ka mbërritur në Moskë për bisedime me Vladimir Putinin, sipas një raporti nga agjencia shtetërore...

Lexo më shumë

A është ky vendi ku filloi jeta? Zbulohet “Qyteti i Humbur” nën oqeanin Atlantik

Auto-Skicë
22 Qershor, 2025

Thellë në zemër të Oqeanit Atlantik, shkencëtarët kanë zbuluar një botë nënujore të pabesueshme dhe të mistershme, që mund të...

Lexo më shumë

Izraeli nis sulmet ndaj Iranit

Izraeli nis sulmet ndaj Iranit
22 Qershor, 2025

Mbrojtja ajrore është aktivizuar në qytetet iraniane, si Teheran, Tabrizin veriperëndimor dhe Yazdin qendror. Kjo për shkak se IDF, Forcat...

Lexo më shumë

The Times/ Pyetjet e ngritura që duan përgjigje pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit

Bombardimet e SHBA, IAEA:S’ka rritje të niveleve të rrezatimit në centralet iraniane
22 Qershor, 2025

Pasi Shtetet e Bashkuara vendosën t’i bashkoheshin ofensivës së Izraelit dhe të godisnin objektet bërthamore iraniane, sekretari amerikan i mbrojtjes,...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com