Situatë e paqartë dhe rrethana të çuditshme ajo e plagosjes së një shqiptari 35 vjeçar në krah, nga goditjet me armë zjarri që ndodhën mbrëmjen e së shtunës në lagjen “San Lorenzo” të Sanremos.
Autori është një 73 vjeçar, pensionist italian i cili tanimë ndodhet i arrestuar me akuzën e tentativës së vrasjes dhe posedim të paligjshëm të armëve dhe do të qëndrojë në burg deri në sqarimin e plotë të ngjarjes. Marino Tripodi ka qëlluar gjashtë herë me armë zjarri ndaj dy vëllezërve shqiptarë, Mario e Altin Boçi, por në krah plumbat i mori Mario Boçi. Ngjarja ka ndodhur lidhur me një mosmarrëveshje për qeranë që italiani pretendonte për banesën që u kishte dhënë shqiptarëve. Sic raportojnë mediat italiane, njëri nga vëllezërit shqiptarë e ka ofenduar pensionistin duke i thënë:
“Plak m… do të bëjmë copash dhe më pas do të hedhim në koshin e plehrave”. Ka qenë kjo frazë dhe kërcënimet dhe fyerjet që ka bërë që i moshuari 73 vjeçar të qëllojë me armë ndaj 2 vëllezërve shqiptarë. Tripodi tha se vëllezërit shqiptarë nuk i kishin dhënë 8 muaj qira dhe se ata i vidhnin energjinë elektrike si dhe e ofendonin dhe kërcënonin vazhdimisht. “Ikni nuk i dua as paratë”, iu ka thënë dje i moshuari 2 vëllezërve pasi i kishte takuar në oborrin e shtëpisë. Në këtë moment, sipas tij, shqiptarët e kanë fyer dhe kërcënuar.
Pasi i qëlloi me armë, 73 vjeçari është larguar me makinë dhe e ka hedhur pistoletën, një 7.6 5 mm me numër seria të fshirë, në një vend me shkurre. “Nuk mundesha më, më falni, më iku mendja”, iu ka thënë karabinierëve kur është dorëzuar i moshuari.
Por 35 vjeçari shqiptar i plagosur ka treguar një tjetër version. “Po çfarë qiraje? Atij njeriu nuk i detyrohem asgjë, unë jetoj diku tjetër me familjen time. Aty ku jetoj e kam paguar gjithmonë qiranë. Isha në atë vend me vëllain tim për të përshëndetur një person. Familja ime është e respektuar”, ka thënë Mario Boçi. Sipas dëshmisë, ai nuk jeton në apartamentin e Tripodit, madje as i vëllai Altini nuk jeton aty. Por cili ka qenë shkaku i ngjarjes? Hetuesit duhet ende të sigurohen. “Unë nuk i detyrohem asgjë atij burri. Jam një person i respektueshëm, ashtu si edhe gruaja ime. Ne nuk kemi të bëjmë fare me atë person”, ka theksuar shqiptari i plagosur.