Bota

Historia e pabesueshme e komplotit kundër George Sorosit

               Publikuar në : 18:57 - 22/01/19 |
rel d
Si ndihmuan dy konsulentë politikë amerikano-hebrej në krijimin e teorisë më të madhe të konspiracionit antisemit në botë

Hannes Grassegger/ BuzzFeed

Kulla e qelqit ku gjendet zyra e George Soros në Manhatan është e mbushur me numra në ekrane, gjurmime dhe parashikime për kursin e tregjeve në mbarë botën.

Njëra prej tyre është veçanërisht e vështirë të kuptohet, një tabelë portokalli në një ekran që analizon ndjeshmërinë në mediat sociale. Të dhënat, të përditësuara rregullisht që nga viti 2017, projektojnë reagimet në internet me emrin George Soros. Emri i tij përmendet dhjetëra- mijëra herë në javë – pothuajse gjithmonë negativisht, të nxitura kryesisht nga rrjetet e quajtura ‘bots’. Soros është një e keqe e pastër. Një kontrabandist droges. Afarist. Ekstremist. Konspiracionist. Nazist. Hebre. Është shfaqje e pastër e urrejtjes.

Demonizimi i Sorosit është një nga tiparet përcaktuese të politikës bashkëkohore globale dhe, me disa përjashtime, një paketë gënjeshtrash. Soros është vërtet hebre. Ai ishte një tregtar agresiv në valutë. Ai ka mbështetur Demokratët në SHBA dhe konceptin e Karl Popper për një “shoqëri të hapur” në ish-bllokun komunist. Por, teoritë shumë të egra dhe të përhapura, të cilat përfshijnë sugjerimin se ai ndihmoi në rënien e Bashkimit Sovjetik, në mënyrë që të hapte një rrugë drejt Europës për afrikanët dhe arabët, janë kaq të çmendura sa dhe qesharake – nëse nuk ishin kaq toksike.

Soros dhe ndihmësit e tij kanë kaluar orë të gjata duke u pyetur: Nga vjen gjithë kjo?

Vetëm një pjesë e vogël e njerëzve e dinë përgjigjen.

Në një mëngjes me diell të verës së kaluar, njëri prej tyre mund të gjendej duke qëndruar para bufesë së madhe të mëngjesit në Grand Hotel Ëestin në Berlin. George Birnbaum ngjan me një atlet maratone – i gjatë dhe i hollë, kokën dhe fytyrën të rruar pastër. Syze elegant me skelet briri kornizojnë sytë në një blu të thellë.

Birnbaum – një konsulent politik i cili ka punuar në SHBA, Izrael, Hungari dhe në të gjithë Ballkanin – kishte rënë dakord të fliste për herë të parë në lidhje me rolin e tij në krijimin e ‘gogolit Soros’, gjë që përfundoi me një valë globale sulmesh anti- semite ndaj investitorit miliarder. Por ai gjithashtu donte të mbronte punën e tij, dhe atë të ish-mentorit dhe mikut të tij, Artur Finkelstein.

George Eli Birnbaum u lind në vitin 1970 në Los Anxhelos, ku familja e tij u transferua pasi ikën nga Gjermania naziste. Gjyshi i tij u vra nga nazistët para djalit të vet, babait të Birnbaumit, i cili mbijetoi më vonë nga Auschwitz. Anti-semitizmi ndoqi familjen ndërsa ata u zhvendosën në Atlanta, ku Birnbaum u rrit, dhe ku shkolla hebraike që ai ndiqte shpesh u mbulua me slogane antisemite. Kjo e la ​një shenjë.

Në një epokë kur shumë hebrenj amerikanë u larguan nga identiteti i tyre specifik, Birnbaum nuk u lejua të harrojë. Çdo fundjavë babai i dorëzonte ‘Jerusalem Post’-in.

Së pari mësoni se çfarë po ndodh me popullin hebre në botë, atëherë mund të shqetësoheni për pjesën tjetër të botës”

“Së pari mësoni se çfarë po ndodh me popullin hebre në botë, atëherë mund të shqetësoheni për pjesën tjetër të botës”, kujton Birnbaumi t’i ketë thënë i ati. Ai u rrit duke besuar se vetëm një komb i fortë, shteti i Izraelit, mund t’i mbronte hebrenjtë nga një Holokaust i dytë.

Të gjitha këto e bëjnë të çuditshme që idetë e Birnbaumit dhe Finkelsteinit kanë lindur një valë të re anti-semitizmi dhe se ata e bënë këtë në shërbim të një udhëheqësi autoritar, kryeministrit hungarez Viktor Orban, i kritikuar përreth botës për pikëpamjet e ekstremit të djathtë. Të dy burrat mblodhën të gjitha argumentet kundër Soros, nga Lindja dhe Perëndimi, nga e majta dhe nga e djathta, dhe i bënë së bashku. Dy hebrej amerikanë, njëri figurë e admiruar në politikën amerikane, ndihmuan në krijimin e një përbindëshi.

Birnbaum nuk e vlerëson ironinë e këtij rasti, por ka pak dyshime se ai luajti rol vendimtar në armatosjen e anti-semitizmit.

Dhe e bëri këtë duke vendosur Soros në gijotinë.

Duke filluar në vitin 2008, Birnbaum dhe Finkelstein punuan në fshehtësi për të zgjedhur Orbanin. Fitorja e tyre në Hungari – larg prej lupës intensive të politikës së Europës Perëndimore – tregoi se ndërtimi i një armiku të jashtëm mund të sjellë sukses zgjedhor në epokën moderne. Kjo e lejoi Hungarinë të lindë “Trumpin para Trumpit”, siç thotë Steve Bannon.

Puna e Birnbaum dhe Finkelstein ka dhënë një model të ri për politikën negative në këtë epokë të ndarjes globale. Ata hartuan një master-plan për shfrytëzimin e këtyre ndarjeve që kanë funksionuar në shumë vende dhe kontekste të ndryshme, dhe ndihmuan në krijimin e një armiku hebre që e djathta ekstreme e ka shfrytëzuar me efekte shkatërruese. Në vitin 2016, kur Trump publikoi reklamën finale televizive përpara zgjedhjeve, nuk ishte habi që Soros u paraqit si anëtar i “interesave të posaçme globale” të cilët nuk kanë “në mendje të mirën tuaj”.

(George Birnbaum në një dalje Tv për Fox News. Creditet: Fox News via You Tube)

Për të kuptuar Birnbaum duhet të shkoni prapa, në politikën brutale izraelite të viteve ’90 dhe deri në Ëashington, DC, në vitet ’70, ku një profesion i ri, i njohur si konsulencë politike, po skiconte një sërë mjetesh të reja për sjelljen e njerëzve në pushtet. Këtu do të gjeni babain shpirtëror të Birnbaumit, Finkelstein.

Duke filluar nga fundi i viteve ’60, Finkelstein ishte njëri prej një grushti burrash që po rishpiknin industrinë e konsultimit politik në Nju Jork. Ai do të vazhdonte të ndihmonte presidentët dhe senatorët, të udhëhiqte një stil reklamimi televiziv dhe të ndërtonte një gjeneratë pasuesish.

Finkelstein nuk është aq i famshëm sa bashkëkohësi i tij Roger Ailes, por ai është një lidhje e fshehtë që kalon përmes Partisë Republikane bashkëkohore, që bjen nga ikona libertariane Ayn Rand deri te cinizmi i Richard Nixon dhe, më në fund, te Trump. Finkelstein ishte një bir i Nju Jork Sitit. I biri i një shoferi taksie, ai u takua me Rand ndërsa ishte student në Universitetin e Kolumbias në fillim të viteve ’60. Ai vazhdoi të punonte shkurtimisht si një programues kompjuteri në Wall Street përpara se të bëhej një eksponent i hershëm i artit të anketimit (sondazheve) në fund të dekadës.

(Arthur Finkelstein me ligjvënës Republikanë, 8 qershor 1983. Creditet: Chester Higgins Jr. for the New York Times)

Pikërisht atëherë Finkelstein filloi të zhvillonte një metodë politike që tani lexohet si një manual për populizmin modern të krahut të djathtë. Premisa e Finkelstein ishte e thjeshtë: Çdo palë zgjedhje vendoset para se të fillojnë. Shumica e njerëzve e dinë për kë do të votojnë, çfarë mbështesin dhe çfarë kundërshtojnë. Është shumë e vështirë për t’i bindur ata ndryshe, beson Finkelstein. Është shumë më e lehtë të demoralizosh njerëzit sesa t’i motivosh ata. Dhe, mënyra më e mirë për të fituar është të demoralizoni përkrahësit e kundërshtarit tuaj. Kjo është ajo që Trump bëri me efekt të madh kundër Hillary Clinton dhe çfarë donte të thoshte kur, pas zgjedhjeve, ai falënderoi afro-amerikanët për mospjesëmarrje në votime.

Finkelstein kishte studiuar prej kohësh tendencat e mëdha politike, dhe vendosi të punonte me çështje të thjeshta që mund të bënin më së shumti dëm. Në fund, ai vuri re se, zakonisht gjithçka përqendrohet  te të njëjtat shqetësime: droga, krimi dhe raca. Këto janë çështjet që krijojnë ndarjet më të mëdha politike, i shkroi ai Nixonit në një memo në vitin 1970.

Qëllimi i Finkelstein ishte të polarizonte elektoratin sa më shumë të ishte e mundur, për të acaruar secilën palë kundër tjetrës. Karburanti: Frika. “Rreziku duhet të paraqitet si i ardhur nga e majta”, këshilloi Nixon-in 25-vjeçari Finkelstein.

Kushdo që nuk sulmon i pari, do të mundet, argumentoi ai. Dhe ai i bënte gjërat personale. Çdo fushatë ka nevojë për një armik për të mposhtur. Ai e zhvilloi fushatën negative sipas një teknike që e quajti “votim refuzues” – për të demonizuar armikun aq shumë sa që edhe votuesit më përtacë do të duan të dalin të votojnë, vetëm për t’i rrëzuar ata.

Në fushatat televizive, që asnjë amerikan nuk mund t’i shmangte gjatë viteve 1990, kundërshtarët u quajtën “ultra liberalë”, “liberalë të çmendur”, “liberalë të sikletit” ose “shumë liberalë për shumë gjatë”.

Finkelstein gjithashtu do t’u këshillonte klientëve të tij të mos flasin për veten e tyre, por në vend të kësaj të fokusojnë fushatën e tyre në shkatërrimin e kundërshtarëve. Ai u bë i njohur për kthimin e termit “liberal” në një fjalë të pistë. Në fushatat televizive, që asnjë amerikan nuk mund t’i shmangte gjatë viteve 1990, kundërshtarët u quajtën “ultra liberalë”, “liberalë të çmendur”, “liberalë të sikletit” ose “shumë liberalë për shumë gjatë”. Fushatuesit e quajtën ideologjinë e tij “Finkel-Think”. E thjeshtë, por efektive. Miqtë e Finkelstein kanë pohuar shpesh se askush nuk futi më shumë politikanë në zyrë se ai.

Kontradiktat herë pas here e rrethuan punën e tij. Në vitet 1980, ndërsa punonte për një kandidat Republikan, ai u kritikua për anketimin e votuesve për të parë se çfarë mendonin për identitetin hebre të kundërshtarit të tij Demokrat.

Deri kur vdiq në vitin 2017, Finkelstein kishte lënë një shenjë të pashlyeshme në politikën kombëtare, duke punuar për Barry Goldwater, Richard Nixon dhe Ronald Reagan. Ndërsa punonte si anëtar i shtabit qendror të fushatës së Reagan-it në vitin 1980, një slogan i çuditshëm dhe i zymtë u shfaq: “Let’s make America great again” (“Le t’a bëjmë Amerikën përsëri të madhe”).

Thuhet se ai ka punuar për Organizatën Trump në mes të viteve 2000 – dhe më vonë foli për fuqinë “trullosëse” të personalitetit të Trump. Kur Trump, më në fund, kandidoi për President, fushata e tij u mbush me “fëmijët e Arturit” dhe miqtë e tij: Larry Weitzner, Tony Fabrizio dhe shoku i tij i vjetër, Roger Stone.

Birnbaum ishte një nga ‘fëmijët’ e Arturit. Pas diplomimit nga Florida Tech në fillim të viteve ’90, ai erdhi së pari në orbitën e Finkelstein në DC, kur ky i fundit po punonte në Komisionin Senatorial Kombëtar Republikan. Ishte puna e Birnbaum për t’i sjellë Finkelstein sondazhet më të fundit çdo mëngjes. Çdo gjë që Finkelstein bëri ishte bazuar në analizën e sondazheve të tij, kujton Birnbaum, i cili shtoi se askush nuk mund t’i shihte prirjet elektorale si Finkelstein.

Birnbaum u mrekullua nga mendja e Finkelstein dhe njohuritë e tij. Por ai gjithashtu zbuloi Arturin tjetër.

Për botën e jashtme, Finkelstein ishte një enigmë, strategu që punonte për të djathën. Por në jetën private ishte një njeri miqësor, zbavitës, i shkëlqyer, por ende i thjeshtë, plot anekdota nga qarqet më të larta të pushtetit. I rritur në një familje hebreje në Queens, ai bënte shaka me rregullat e fesë së tij. Ai ishte një ‘peshkop’ me xhepin e këmishës blu mbushur me lapsa dhe shënime.

Në botën mbytëse të politikës, Finkelstein e mbante kravatën e lirshme dhe shpesh mund të shihej duke ecur përreth zyrës me çorape. Ai mund ta bënte këtë sepse shihej si gjysma e djathtë e trurit të së djathtës. Finkelstein njëherë i tha një shoku se shefi i shtabit të Reganit e falënderoi me shkrim për “mbajtjen e këpucëve mbathur shumicën e kohës”, ndërsa ishte në Zyrën Ovale. Pasioni i Finkelstein ishin zgjedhjet. Politika i kujtonte, u tha ai studentëve në Pragë, “valët në një plazh që duken të gjitha njësoj, por me kalimin e kohës janë gjithmonë të ndryshme.” Megjithatë, dashuria e tij ishte për dy bijat dhe për një burrë. Finkelstein, i cili ndihmoi në zgjedhjen e radikalëve Republikanë anti-gay, ishte homoseksual. Ai u martua me partnerin e tij të prej më shumë se 40 vitesh në 2004, dhe ata ishin së bashku deri në vdekjen e Finkelstein.

Një vit pasi Birnbaum u takua për herë të parë me Finkelstein, ai u ndesh sërish me të në një korridor anonim të NRSC. I tha se donte të punonte për të, të bënte sondazhe për të. Dhe ai fliste edhe hebraisht, nëse ai do të kishte ndonjëherë projekte në Izrael.

(Lideri i Likud Benjamin Netanyahu dhe Kryeministri izraelit Shimon Peres, 26 maj, 1996, Tel Aviv. Creditet: AFP/Gety Images)

Vrasja e kryeministrit izraelit Yitzhk Rabin, më 4 nëntor 1995, ishte një pikë kthese për vendin-po ashtu edhe për Finkelstein dhe Birnbaum.

Kur zgjedhjet për pasardhësin e tij u organizuan me ngut, një i sapoardhur hodhi kapelen në ring. Benjamin Netanjahu, një ish-konsulent korporatash, i krahut të djathtë, nuk pati asnjë shans. Ai po kandidonte kundër Shimon Peres, një figurë legjendare, një Social-demokrat nga gjenerata themeluese e Izraelit që donte të vazhdonte procesin e paqes të Rabinit, që shumica e njerëzve shpresonin se do të kishte sukses.

Në fillim, izraelitët u tallën me ambiciet e Netanyahut dhe sondazhet e vendosën atë 20% prapa. Por, si nga askundi, partia e Netanyahut ‘Likud’ filloi të mbulonte vendin me reklama negative. “Peres do të ndajë Jerusalemin” shkruanin sloganet, edhe pse Peres nuk kishte qëllime të tilla. Sulme të ngjashme për Peresin u shfaqën në TV, në radio dhe në shtyp.

Në debatin e fundit televiziv, Peres ra në grackën e Finkelsteinit. Gjëja e parë që bëri ishte të përpiqej të sqaronte se nuk kishte dëshirë të ndante Jeruzalemin – pikërisht çështja që Finkelstein donte që ai të ngrinte. Netanjahu u bë pronar i debatit.

Në ditën e zgjedhjeve, gara midis Peres dhe Netanjahut dukej shumë afër për të shpallur një fitues. Rreth orës 10:00 të mbrëmjes stacionet televizive raportuan një fitore shumë të ngushtë për Peres, bazuar në projeksionet paraprake. Sipas një biografie të Netanjahut, ai mori telefonin dhe u lidh me “Arturin” – menaxherin e fshehtë të fushatës. Finkelstein ishte në Nju Jork, por u përgjigj menjëherë dhe i tha Netanyahut se nuk duhet të shqetësohej. “Gjithmonë i fitoj unë garat e ngushta.”

Gjithnjë e ndihmon rreshtimin e trupave dhe tubimin e një popullsie” kur armiku ka një fytyrë, shpjegon Birnbaum. “Arturi gjithmonë thoshte që nuk po lufton kundër nazistëve, por kundër Adolf Hitlerit. Jo kundër Al Kaedës, por kundër Osama bin Ladenit.

Fitorja e Netanjahut e bëri Finkelstein një yll. Ai “e ndryshoi fushatimin përgjithmonë”, shkruante gazeta Haaretz. Ai mësoi gjithashtu se formula e tij mund të punonte edhe jashtë Amerikës së Veriut. Ekspertiza e Finkelstein u bë shumë e kërkuar.

Në vitin 1998 Birnbaum mori një telefonatë. Ishte Finkelstein, që e pyeste nëse do të donte të punonte për partinë e Likudit në Izrael, një ëndërr e realizuar për Birnbaum. Aty ata të dy u bënë një ekip, me Finkelstein si kapiten dhe Birnbaum krah të djathtë. Ndërsa Finkelstein udhëtonte midis Nju Jorkut dhe Izraelit, Birnbaum mbajti nën vëzhgim Izraelin, ku u bë shefi i kabinetit të Netanjahut, duke organizuar daljet e tij mediatike, duke e përfaqësuar në shtyp dhe, nganjëherë edhe duke u kujdesur për fëmijët e tij.

Triumfi në Izrael shënoi fillimin e një epoke të re. Në këtë kohë Finkelstein u kthye në Europë, në bashkëpunim edhe më të ngushtë me Birnbaum. Që nga viti 2013 e këtej të dy burrat punuan së bashku si konsulentë politikë botërorë, duke aplikuar formulën e Finkelstein për Europën Lindore dhe Ballkanin, duke filluar me fushatat e suksesshme zgjedhore në Rumani dhe Bullgari.

(Kryeministri izraelit Netanjahu shtrengon duart me Viktot Orban, kryeministrin hungarez. Creditet: Debbie Hill / AFP / Getty Images)

Kryevepra elektorale e Finkelstein dhe Birnbaum u krijua në Hungari dhe do të kishte implikime në mbarë botën.

Filloi në vitin 2008, kur Orbán vendosi të kërkonte rizgjedhjen e tij. Miku i tij i vjetër Bibi – siç njihet Netanjahu – e prezantoi me dy njerëzit që do të udhëhiqnin suksesin e tij. Pa kaluar shumë, Finkelstein dhe Birnbaum po aplikonin formulën e tyre në fushatën zgjedhore të Orbanit – shto këtu edhe tenkika të reja.

Armiqtë ishin të lehtë për t’u gjetur në Hungari. Vendi ishte një dështim ekonomik dhe duhej të shpëtohej nga falimnetimi në vitin 2008. Masat e kursimit u kërkuan nga kreditorët në Bankën Botërore, BE dhe FMN. Finkelstein dhe Birnbaum i thanë Orbanit të targetonte “burokratët” dhe “kapitalin e huaj”.

Orbán fitoi zgjedhjet e vitit 2010 me një shumicë prej dy të tretash ndërsa vendi u zhvendos djathtas. Birnbaum është ende i habitur sot sa e lehtë ishte: “Ne e hodhëm Partinë Socialiste jashtë fushe që para zgjedhjeve”.

Ju duhet të mbani bazën të ndezur, për tu siguruar që në ditën e zgjedhjeve të kenë një arsye për të dalë në votime

Birnbaum dhe Finkelstein, tani pjesë e rrethit të brendshëm të Orbanit, hasën në një problem. Ndërsa fituesi i kënaqur i zgjedhjeve filloi të rishkruante Kushtetutën, ata tani kishin mbetur pa kundërshtar. “Nuk kishte asnjë armik të vërtetë politik … nuk kishte një njeri me të cilin të luftoje,” kujton Birnbaum. Partia e ekstremit të djathtë Jobbik dhe Partia Socialiste u mundën, të tjerët ishin copë-copë. “Ne kishim një të rizgjedhur me shumicë historike, diçka që kurrë më parë nuk kishte ndodhur në Hungari.” Për të ruajtur këtë, ata kishin nevojë për “nivele të larta energjie”, tha Birnbaum. “Ju duhet të mbani bazën të ndezur, për tu siguruar që në ditën e zgjedhjeve të kenë një arsye për të dalë në votime,” tha ai. Ata kishin nevojë për diçka të fuqishme, të ngjashme me sloganin e Trumpit “Build the Wall!”

“Gjithnjë e ndihmon rreshtimin e trupave dhe tubimin e një popullsie” kur armiku ka një fytyrë, shpjegon Birnbaum. “Arturi gjithmonë thoshte që nuk po lufton kundër nazistëve, por kundër Adolf Hitlerit. Jo kundër Al Kaedës, por kundër Osama bin Ladenit. “Kush mund të bëhet armiku në Hungari tani që Orbán ishte në pushtet – dhe donte të qëndronte atje?”.

Orbani ishte i zënë duke krijuar një histori të re, më dramatike të kombit. Hungaria, e cila kishte bashkëpunuar me nazistët, u pikturua si një viktimë, e rrethuar nga armiq të jashtëm, nën rrethimin e vazhdueshëm, së pari nga osmanët, pastaj nazistët dhe më vonë komunistët. Misioni i Hungarisë ishte i qartë: për t’u mbrojtur kundër armiqve dhe për të ruajtur Krishtërimin kundër pushtimit të Islamit dhe forcave laike.

Në këtë kontekst, Finkelstein pati një epifani. Po sikur velloja e komplotit të hiqej dhe të shfaqej një figurë e fshehtë, që kontrollonte gjithçka? Zoti i pupacëve. Dikush që jo vetëm kontrollon “kapitalin e madh”, por e mishëron atë. Një person i vërtetë. Një hungarez. E çuditshme, por e njohur.

Ky person ishte Soros, i tha Finkelstein Birnbaumit.

Birnbaum u hipnotizua: Soros ishte armiku i përsosur.

Në fillim, pothuajse nuk kishte kuptim. Pse fushatë kundër një jo-politikani? Megjithëse u lind në Hungari, Soros nuk kishte jetuar atje për vite. Ai ishte një plak, i njohur në mbarë vendin si mbrojtës i shoqërisë civile. Ai e kishte përkrahur opozitën kundër komunistëve para rënies së Perdes së Hekurt, dhe më pas financoi ushqimet për fëmijët e shkollave. Në Budapest, kishte ndërtuar një nga universitetet më të mira në Europën Lindore.

(George Soros. Kreditet: Olivier Hoslet / AFP / Getty Images)

Orbani kishte marrë edhe para nga Sorosi: Gjatë kohës së tij në opozitë, fondacioni i tij i vogël i fshehtë Szazadveg, botonte gazeta kritike, të shtypura në një makinë kopjuese të paguar nga Soros. Orbán ishte gjithashtu një nga më shumë se 15,000 studentë të cilët morën bursa nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Sorosit. Në sajë të Soros, Orbán studioi Filozofi në Oksford. Të dy burrat do takoheshin vetëm një herë: kur Soros erdhinë Hungari në vitin 2010 pas një aksidenti me lëndë toksike për të dhënë një ndihmë prej 1 milion USD.

Nuk dukej se kishte arsye për t’u kthyer kundër tij në Hungari.

Por Finkelstein dhe Birnbaum panë diçka te Soros që do ta bënte atë armik të përsosur. Ka një histori të gjatë kritikash ndaj Soros, që daton në 1992, kur Soros fitoi 1 miliard dollarë brenda një nate duke blerë aksione kundër paundit britanik. Për shumë njerëz në të majtë, Soros ishte një predator. Por Soros e përdori prominencën e vet të papritur për të nxitur idetë liberale. Ai mbështeti gjithçka që ishte e drejtë: mbrojtja e klimës, barazia, Klintonët. Ai e kundërshtoi Luftën e Dytë në Irak në vitin 2003, duke e krahasuar George W. Bush me nazistët dhe u bë një donator i madh për demokratët. Ai u bë shpejt një figurë e urryer për Republikanët.

Por kishte më shumë. Finkelstein dhe Birnbaum e kishin zgjeruar punën e tyre pikërisht në ato vende ku Fondacioni i Shoqërisë së Hapur po përpiqej të ndërtonte elita lokale liberale dhe lëvizjet e të drejtave civile: Ukraina, Rumania, Republika Çeke, Maqedonia, Shqipëria. Birnbaum besonte se Soros mbështeste “një socializëm që është i keq për këto vende”. Sipas Birnbaum, Finkelstein ishte më praktik në lidhje me kundërshtimin e tij ndaj Soros, të cilin e shihte thjesht si mjet për të arritur qëllimin: “Nuk ishte diçka emocionale. ”

Nuk duhej shumë që dy konsulentët të bindnin Orbanin që t’i kundërvihej Sorosit – kryeministri hungarez kishte “shumë besim në intelektin e Arthurit”, tha Birnbaum. Fushata anti-Soros ishte e dobishme për Orbanin – dhe jo vetëm në vend. Jashtë, do t’u pëlqente fqinjëve të tij rusë. Putini kishte frikë nga të ashtuquajturat ‘revolucione me ngjyra’ si ai në Ukrainë dhe Pranvera Arabe dhe kishte filluar të sulmonte Sorosin dhe mbështetjen e tij për kauzat liberale.

Puna e dy burrave për Orbánin tani është pjesë e legjendës politike të Hungarisë. Finkelstein është një figurë pothuajse mitike, jo vetëm për shkak se Orbán thuajse nuk e ka përmendur kurrë në publik rolin e tij. Zëdhënësit e tij nuk iu përgjigjën kërkesave për komente rreth Finkelstein dhe Birnbaum.

Birnbaum ishte gjithashtu i tërhequr për detajet e sakta të punës që ata bënë për Orbanin. Ai nuk donte të diskutonte nëse kishin hartuar slogane ose thjesht koncepte të thjeshta, as nuk do të thoshte se sa kontroll kishte mbi vetë fushatën.

Fushata publike kundër Soros filloi me zell në 14 gusht 2013, rreth nëntë muaj përpara zgjedhjeve të ardhshme. Filloi relativisht në heshtje, me një artikull në gazetën e lidhur me qeverinë Heti Valasz, duke sulmuar OJQ-të që thuhej se ishin të kontrolluara nga Soros.

Më pas, qeveria hungareze iu kundërvu organizatës mjedisore me gjasë të kontrolluar nga Soros, Ökotárs, e cila merrte fonde norvegjeze dhe zvicerane. Policia sulmoi zyrat e tyre dhe konfiskoi kompjutera, ndërsa qeveria hapi një hetim mbi aktivitetet e tyre. Hetuesit hungarezë përfundimisht do të dilnin duarbosh – por jo para se të kishin arritur të përhapnin imazhin e një rrjeti të fshehtë të OJQ-ve të huaja të drejtuar nga Soros.

Armiku i përsosur është ai që mund t’a grushtosh sa herë të duash dhe ai nuk ta kthen”, tha Birnbaum.

Orbani dhe skuadra e tij nuk u ndalën me aq. Deri në vitin 2015, kriza europiane e refugjatëve, pjesërisht e stimuluar nga lufta në Siri, i kishte inkurajuar nacionalistët anembanë kontinentit. Pra, kur Soros argumentoi se BE-ja duhej të zhvillonte një “plan të përbashkët” për trajtimin e refugjatëve dhe të përgatitej për një milion azilkërkues në vit, ai u bë një objektiv i mirëpritur edhe një herë për ekipin e Orbanit. Më 30 tetor 2015, Orbán mbajti një fjalim në të cilën ai pretendoi se Soros donte ta dobësonte vendin dhe ta përmbytte atë me refugjatë.

Sulmet erdhën të shumta dhe të shpejta pas kësaj. Çdo organizatë që kishte marrë para nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur u pikturua si “e kontrolluar nga Sorosi”. Punonjësit e OJQ-ve u përshkruan nga shtypi qeveritar si “mercenarë”, të financuar nga fuqitë e huaja. E gjithë kjo u bë me anë të një sërë artikujsh të bujshëm dhe përgjigjesh zyrtare nga ministrat e qeverisë.

Një kreshendo u arrit në korrik të vitit 2017, kur i gjithë vendi u mbush me reklama që tregonin fytyrën e Sorosit dhe sloganin “Mos lejoni që George Soros të qeshë i fundit!”

Slogani “Stop Soros” u përsërit pafund, kudo. Fotot e manipuluara treguan që ai po ecte krah për krah me aleatët përmes një gardhit: gardhi i Orbanit, i ndërtuar për të ndaluar refugjatët që të hynin në Hungari. Orbán pretendonte se Soros ishte në krye të një rrjeti mafioz.

Në vjeshtën e vitit 2017 administrata kreu një “konsultim kombëtar”. Miliona qytetarë morën pyetësorë, ku ata mund të zgjidhnin nëse e mbështetën planin “Soros” për të lejuar një milion njerëz nga Afrika dhe Lindja e Mesme për të hyrë në Europë çdo vit.

Funksionoi. Një pjesë e madhe e vendit u kthye kundër Sorosit. Orbán fitoi në 2014 dhe 2018, të dyja herë me shumicë dërrmuese.

Soros ishte në kurth. “Armiku i përsosur është ai që mund t’a grushtosh sa herë të duash dhe ai nuk ta kthen”, tha Birnbaum. Nëse Soros do të kishte reaguar vetëm se do të kishte luajtur dorën e tyre duke konfirmuar se kishte fuqi dhe ndikim, tha Birnbaum. Soros dhe Fondacionet e Shoqërisë së Hapur janë përpjekur të kundërshtojnë akuzat dhe sulmet, dhe madje kanë paditur qeverinë hungareze në Gjykata Europiane të të Drejtave të Njeriut , por ata nuk mund të futeshin në arenën politike. Do të ishte e pamendueshme që Soros 87-vjeçar të kandidonte kundër Orbanit. “Zoti Soros nuk është politikan”, tha ndihmësi i tij Michael Vachon.

Përkundër gjithçkaje që pasoi, Birnbaum është krenar për fushatën kundër Sorosit: “Soros ishte një armik i përsosur. Ishte aq e qartë. Ishte më e thjeshta e të gjitha produkteve, të duhej vetëm ta shenjoje dhe ta hidhje në treg”.

Produkti ishte aq i mirë, shiti veten dhe u përhap globalisht. Në vitin 2017, italianët filluan të flisnin për anijet e emigrantëve të financuara nga Soros që vinin në brigjet e tyre. Në SHBA, disa njerëz dyshuan se Soros ishte prapa karvanit migrues që hynte nga Amerika Qendrore. Një anëtar polak i parlamentit e quajti Sorosin “njeriun më të rrezikshëm në botë”. Putin i referohej me shpërfillje çështjes Soros gjatë një konference shtypi me Trump në Helsinki. Trump madje pohoi se demonstratat kundër kandidatit të Gjykatës Supreme Brett Kavanaugh u sponsorizuan nga Soros.

Sot puna e Finkelstein dhe Birnbaum në Hungari ka jehonë kudo. Birnbaum i mohoi sugjerimet se kishte drejtuar fushata anti-Soros jashtë Hungarisë. Por ndoshta nuk kishte nevojë ta bënte këtë. Çdokush mund t’i merrte idetë dhe të vepronte sipas tyre. Finkelstein dhe Birnbaum e kishin kthyer Sorosin në një meme. Mediat e krahut të djathtë si ‘Breitbart News’ apo ‘Russia Today’ e kontrolluar nga Kremlini, thjesht mund të adoptojnë fushatën hungareze, ta përkthejnë atë në gjuhë të tjera dhe ta ushqejnë atë me argumente lokale.

Nëse lëvizjet e krahut të djathtë duan të bëjnë fushatë sot, ato mund të marrin materiale anti-Soros nga interneti. Materiali anti-Soros është një armë e globalizuar, e hapur dhe e adaptueshme. Birnbaum tha se ishte emëruesi i përbashkët i lëvizjeve nacionaliste.

(Soros u be target i demonstratave në Maqedoni në citin 2017, kur vendi po debatonte nëse Shqipja duhej bërë gjuhë zyrtare. Kredite: Robert Atanasovski / AFP / Getty Images)

Fushata e Orbanit kundër Soros kurrë nuk e përdori fjalën hebre, por shpesh ajo ishte e nënkuptuar. Orbani i tha popullit të tij se do të duhej të luftonte kundër një “armiku” i cili ishte “ndryshe”, i cili nuk kishte një “shtëpi”. Ishte e zakonshme të shihje grafitti anti-semite në reklamat “Stop Soros” – votuesit e dinin çka po u përcillej.

Finkelstein dhe Birnbaum krijuan një përbindësh të Frankenstein që gjeti një jetë të re në internet. Në atë turli futen pakënaqësitë për sulmet e tij kundër komunizmit bashkë me pretendimet se ai është komunist; fyerjet anti-hebreje dhe akuza se ai është  nazist; dhe mbi të gjitha përzierja e vjetër e antisemitizmit europian.

Nëse kërkoni për Sorosin, menjëherë do të gjeni imazhe të kokës së tij me tentakulat e oktapodit, një tjetër motiv klasik antisemit. Edhe djali i Netanjahut, Yair, ka postuar një meme antisemite në 2017 ku shfaqet Soros dhe reptilianët si kontrollues të  botës.

Fushata jonë nuk ka bërë antisemit askënd që nuk ishte më parë i tillë.

Anëtarët e bashkësisë hebraike në Hungari filluan të protestojnë kundër fushatës ‘Stop Soros’ në vitin 2017. Ambasadori izraelit e dënoi atë. Kur Zoltan Radnoti, një rabin i shquar hungarez, mësoi se fushata u drejtua nga dy anëtarë të bashkësisë hebraike, ai u trondit.

Anti-semitizmi që doli nga fushata anti-Soros nuk mund të jetë shumë befasuese, edhe nëse Finkelstein dhe Birnbaum nuk e kishin ndërmend. Ata importuan tema të lashta dhe ankesa moderne në teknologjinë e komunikimit të shekullit të 21-të. E reja ishte: Ata e kthyen Sorosin në armikun e tyre qendror politik.

Pretendimi se ai është përgjegjës për përphapjen e anti-semitizmit e lëndon Birnbaumin. Ai thjesht nuk e sheh këtë. Ai vendosi të flasë kryesisht për shkak të faktit se dëshiron ta hedhë poshtë këtë akuzë. Në fund të fundit, ai është një hebre observant dhe anëtar i shumë bamirësive pro-izraelite.

“Kur e planifikuam fushatën,” tha ai, “nuk menduam për asnjë sekondë për Sorosin si hebre”. Birnbaum pretendon se madje as e dinte këtë fakt atëherë dhe se kurrë nuk ka punuar me antisemitë.

Para se të punonte me Orbanin, ai kontaktoi me qarqe të informuara në Izrael për të parë se si i shihte Orbani hebrejtë. Ai nuk dëgjoi asgjë që do ta zmbrapste- përkundrazi, tha ai, Orbani kishte luftuar kundër anti-semitizmit dhe madje i kishte vënë vajzës së parë emrin hebraik “Rahel”.

Në fund të fundit, “a nuk mundem të sulmoj dikë vetëm sepse është hebre?”, pyet Birnbaum.

Cilido qoftë qëllimi i tyre, rreshtimi anti-Soros vetëm është rritur, ndonjëherë me pasoja vdekjeprurëse. Në tetor të vitit 2018, një përkrahës i Trump dërgoi një bombë me postë Sorosit. Pesë ditë më vonë, një person i armatosur hyri në një sinagogë në Pitsburg, duke vrarë 11 vetë. Sulmuesi e shihte veten si pjesë e një lufte kundër komplotit hebraik, i cili besonte se po financonte migracionin masiv, dhe fliste për karvanin dhe Sorosin në mediat sociale.

Kur u pyet nëse fushata e Sorosit në Hungari e kishte ushqyer këtë anti-semitizëm, Birnbaum pranoi se kur e sheh nga distanca “duket shumë keq”, por asokohe ishte vendimi i duhur.

Disa muaj pas takimit në Berlin, Birnbaum shkoi në hotelin Trump në DC, ku një mik, ish-menaxheri i fushatës së Trump, Corey Lewandowski, po paraqiste librin, Armiqtë e Trump. Kellyanne Conway u shfaq. Shitej kaviar për 100 dollarë onsin. Birnbaum bisedoi me mysafirët e tjerë dhe porositi një Moscoë Mule.

A ka ndryshuar mendje për fushatën anti-Soros? Ndonjë keqardhje?

“Antisemitizmi është diçka e përjetshme, e pashlyeshme”, tha Birnbaum. “Fushata jonë nuk ka bërë antisemit askënd që nuk ishte më parë i tillë. Ndoshta ne po skiconim një objektiv të ri, asgjë më shumë. Do ta bëja sërish”.

 

*Një version i mëparshëm i këtij artikulli u shfaq në të përjavshmen zvicerane Das Magazin.

**Hannes Grassegger eshte ekonomist zviceran dhe ekspert ne Luften e Informacionit. Ai eshte i njohur si i pari qe hapi debatin e Cambridge Analytica.

***Perktheu për Politiko.al: Loneta Progni

 

 

 

Pas