Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar për arrestimin e një 50-vjeçari në Tiranë, pasi është kapur duke hedhur mbetje inerte në shtratin e lumit Erzen.
Përmes një postimi në rrjete sociale ai shkruan se do të marrë fund hedhja e inerteve në brigjet e lumenjve apo në vende të tjera të palejuara.
“Policia e Shtetit dhe IKMT po rrisin çdo ditë vigjilencën dhe do të çojnë para ligjit këdo që kryen krime mjedisore. Historia e hedhjes së mbetjeve/inerteve në brigjet e lumenjve apo në vende të tjera të palejuara do të marrë fund! Përgëzoj Policinë e Shtetit Tiranë për goditjen e një krimi të rëndë mjedisor në lumin Erzen”, shkruan Balla.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Stërmas, ku 50-vjeçari me një kamionçinë u kap teksa shkarkonte në shtratin e lumit Erzen mbetje inerte./Opinion.al