Bashkia e Tiranës ka hedhur shortin e dytë për përzgjedhjen e apartamenteve në pallatet e reja të ndërtuara në lagjen e re, “5 Maji”, ku do të sistemohen familjet e mbetura pa strehë pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.
Pas 58 familjeve të para që janë futur tashmë në këtë lagje, u hodh shorti publik edhe për 125 familje të tjera, ku, përmes një procesi të hapur dhe transparent, familjarët, ose përfaqësuesit e tyre, përzgjedhin shtëpinë e tyre të re, në të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë me shtëpinë që kishin përpara tërmetit.
Shorti u krye nga Komisioni i Posaçëm i ngritur me urdhër të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas verifikimit të dokumentacionit të përgatitur prej dy njësive, Njësisë nr. 8 dhe Njësisë nr. 4 ku kanë aplikuar familjet që do të strehohen në lagjen e re.