Bota

Hetime në Bullgari rreth aksidentit që shkaktoi vdekjen e 46 personave


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 19:39 - 24/11/21 |
Opi Nion

Autoritetet bullgare po bëjnë hetimet për aksidentin e trafikut ku mbetën të vdekur 46 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, kompania që organizoi udhëtimin nuk kishte lejen e duhur për vënien në qarkullim ndërkombëtar të autobusit, i cili u përfshi në aksident. Shtatë persona të lënduar në këtë aksident, nga të cilët një i ri nga Presheva dhe një tjetër nga Belgjika janë shtruar në një spital të Sofjes. Mjekët ligjorë maqedonas ankohen se nuk kanë qasje në autopsinë e trupave të viktimave.

Ende nuk është i njohur shkaku i tragjedisë të së martës në Bullgari që la të vdekur 46 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa emrat e viktimave janë bërë të ditur, por jo dhe identifikimi i trupave të tyre. Mjekët ligjorë nga Maqedonia e Veriut ndodhen në Sofje në pritje të lejes nga kolegët e tyre bullgarë për të marrë pjesë ose vëzhguar procesin e autopsisë.

Familjarëve të viktimave u janë marrë mostrat e ADN-së për t’i identifikuar ata që humbën jetën në aksidentin e autobusit të kompanisë “Besa trans” derisa po ktheheshin nga një eksursion në Stamboll të Turqisë. Ata kryesisht ishin shqiptarë. Ekspertët maqedonas të forenzikës u kanë thënë mjeteve të informimit në Sofje se ndjeheshin të ofenduar me trajtimin nga autoritetet bullgare që nuk u lejonin atyre qasjen në autopsinë e viktimave.

Ministria e jashtme në Shkup ka dërguar në Sofje dy diplomatë me përvojë për të ndihmuar rreth paqartësive eventuale.

“Pas përfundimit të procesit të identifikimit do të vijojë një procedurë e organizuar për transferimin e kufomave të të ndjerëve; aktivitet që do të koordinojmë me MPJ të Bullgarisë, e cila e ka marrë përsipër t’i koordinojë aktivitetet me institucionet e tjera në Sofje”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

Ekspertë bullgarë thonë se sinjalizimi i keq dhe bankinat e dobëta të autostradës ishin arsyet kryesore që çuan tek aksidenti. Ndërkaq, media në Sofje, duke u thirrur në gjetjet e ekspertëve, njofton se ekzistojnë gjurmë të frenimit të autobusit, për çka fillimisht ishte thënë se mungonin, ndërsa shoferin nuk e kishte zënë gjumi mbi timon, siç pandehej më parë.

Nga ana tjetër, kanë lindur mjaft pyetje se si autobusi i kompanisë “Besa -trans” që u mori jetën 46 vetëve, kishte mundur të qarkullojë pa pengesa kufijt dhe doganat ndërkohë që nuk ishte i licencuar për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve.

Ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski tha se ministria ka konstatuar se autobusi i djegur nuk ishte paraqitur nga pronari ashtu siç e kërkojnë rregullat dhe ligji dhe për rrjedhojë automjeti nuk figuron në bazën elektronike të ministrisë së Transportit, ndërsa njoftoi se do të fillojnë procedurat për heqjen e lejes kësaj kompanie.

“Besa trans” ishte e regjistruar në qytetin Qustendil të Bullgarisë, teksa kishte zyra në Shkup, Tetovë e qytete të tjera.

Dymbëshjetë prej viktimave ishin fëmijë; pesë prej tyre nxënës të shkollës fillore Ismail Qemali në Çair të Shkupit. Nxënësit e kësaj shkolle bashk me mësuesit e tyre marshuan sot deri në sheshin Skenderbe tek çarshia e vjetër për të vendosur lule dhe për të shpehur kështu dhimbjen dhe respektin për shokët e humbur të shkollës.

Komuna e Çairit ka ndarë një shumë simbolike fondesh për familjet e viktimave, 16 prej të cilëve ishin banorë të kësaj zone./ VOA

Pas