Pashko Ujka, i plagosur me armë zjarri sot në lagjen, “Vasil Shanto” në Shkodër, ka marrë një plumb në shtyllën kurrizore dhe gjendja e tij është kritike për jetën.
Ndërkohë të afërmit e Ujkës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak (të gjithë ata që janë A negativ), për t’i shpëtuar atij jetën.
“Rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”, tha policia në njoftimin paraprak për mediat.
Sipas news 24, kjo është hera e tretë që qëllohet me armë zjarri në drejtim të Pashko Ujkës. Pashko Ujka ka qenë kryetar i Komunës së Velipojës nga viti 2011 deri në 2015, ndërsa po ashtu ka qenë edhe deputet në radhët e PDK (gjatë viteve 2005-2009).