Parlamenti do të duhet ta sjellë për shqyrtim në themel, pranë Gjykatës Kushtetuese, mocionin e deputetëve demokratë për mandatin e Deputetit Koço Kokëdhima, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, të vendimit të dhënë nga kjo gjykatë, një ditë më parë.
Kushtetuesja vendosi se vendimi i parlamentit, i datës 16 Prill, që rrëzoi kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të Deputetit Kokëdhima, ishte në kundështim me ligjin themeltar të shtetit.
Bazuar në Nenin 87, të Rregullores së Kuvendit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren në shqyrtim nga Këshilli për Legjislacionin, menjëherë pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare.
Është ky Këshill që analizon dhe diskuton efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pas votimit në parlament mendimi i Këshillit i dërgohet kësaj gjykate.
Më pas nis shqyrtimi në themel i çështjes nga kjo gjykatë, e cila do të shprehet nëse mandati i Kokedhimës është ose jo në përputhje me Kushtetutën.
Opozita e ka kërkuar heqjen e mandatit të tij pasi e akuzon se ka përfituar në 150 raste fonde publike, përmes kompanisë “Abissnet”, pasi kishte marrë mandatin e deputetit.
Kokëdhima është mbrojtur duke thënë se asnjë nga kontratat e kësaj kompanie, të cilën e ka drejtuar deri në Shkurt të vitit 2014, nuk është nënshkruar me shtetin pas marrjes së mandatit. /tvklan/