Mjeku Erjol Braholli, i cili i ka dhënë ndihmën e parë policit të lënduar nga plasja e gomës së një kamioni, tha se gjendja e tij ka qenë e rëndë me hemoragji në të dy këmbët. Për këtë arsye, efektivi i policisë është dërguar për ndihmë të specializuar në Tiranë.
“I sëmuri ka ardhur në gjendje të rëndë. Ka pasur hemorragji në të dy këmbët. Ka pasur fraktura të hapura me hemoragji me ekspozim kockave dhe i sëmuri erdhi direkt në reanimacion. U mjekuan plagët dhe u nis për Tiranë. Ka qenë një goditje nga shpërthimi i gomës. Ka qenë një forcë e madhe për të bërë ato dëmtime.” tha mjeku, Erjol Braholli.
Efektivi i policisë, Tonin Tosku, po drejtonte mjetet në krahun tjetër të rrugës, rreth 2-3 metra larg, paralel me gomat e një kamion të ndaluar, kur njëra nga gomat e pasme plasi.
Si pasojë e presionit të madh efektivi ka marrë plagë të rënda në të dyja këmbët dhe në trup. Menjëherë është transportuar nga një makinë e rastit në spitalin Rajonal Dibër, ku ka marrë ndihmën e parë dhe më pas është trassportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00, në aksin Maqellarë-Peshkopi, në vendin e quajtur “Malorja e Erebarës” teksa një patrullë e policisë rrugore shkoi për të rregulluar trafikun pas bllokimit të rrugës./Opinion.al