Bota

Helmimi i Navalnit me “novichok” kërkon përgjigje nga Moska


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:42 - 03/09/20 |
Al Do

Udhëheqësit botërorë po kërkojnë përgjigje nga Kremlini pasi ekzaminimet toksikologjike treguan se lideri i opozitës ruse Aleksei Navalni ishte helmuar me një agjent nervor nga familja novichok.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se se testet e kryera në një laborator ushtarak kishin “identifikuar pa mëdyshje” agjentin nervor të epokës Sovjetike. Ajo e referoi rastin si një “vrasje në tentativë” dhe tha se gjetjet ngritën “pyetje shumë të vështira që vetëm qeveria ruse mund të përgjigjet dhe duhet të përgjigjet”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, i quajti gjetjet “skandaloze” dhe tha: “Qeveria Ruse tani duhet të shpjegojë atë që i ndodhi zotit Navalni.”

Shtëpia e Bardhë e quajti sulmin “plotësisht të dënueshëm”. Kandidati demokrat presidencial Joe Biden e quajti atë një “përpjekje të egër dhe të pacipë ndaj jetës së zotit Navalni” dhe vuri në dukje se Donald Trump ende nuk kishte dënuar personalisht sulmin.

Navalni, fondacioni i të cilit boton hetime për korrupsion midis zyrtarëve të nivelit të lartë në Rusi, u sëmur në një fluturim për në Moskë nga Siberia në 20 gusht dhe u transferua në Berlin dy ditë më vonë.

Mjekët që e mjekuan atë në qytetin siberian Omsk, ku avioni i tij bëri një ulje emergjente, këmbëngulën se nuk kishte asnjë provë helmimi dhe fillimisht hezituan ta lejonin atë të largohej nga vendi.

Zbulimi që novichok u përdor tek Navalny do të bëjë që shumë njerëz të konkludojnë se sulmi ishte menduar si një mesazh për kritikët e Kremlinit dhe bashkëpunëtorët e Navalnit shpejt drejtuan gishtin drejt Putinit.

“Zgjedhja e novichok për të helmuar Navalny në vitin 2020 është në thelb e njëjta gjë si lënia e një autografi në skenën e krimit,” shkroi bashkëpunëtori i Navalnit, Leonid Volkov në Twitter, duke bashkangjitur një imazh të autografit të Putinit.

Ivan Zhdanov, drejtori i fondacionit anti-korrupsion të Navalnit, shkroi se ishte “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm” që vetëm shërbimet ruse të sigurisë do të ishin në gjendje të përdorin novichok.

Agjenti nervor u përdor për të helmuar ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Yulia në Britani dy vjet më parë. Ai është një frenues i kolinesterazës, pjesë e klasës së substancave që mjekët në spitalin Charité të Berlinit identifikuan fillimisht tek Navalni.

Sipas revistës gjermane të lajmeve Der Spiegel, ekspertët në Charité kërkuan këshilla nga Porton Down, laboratori sekret i Britanisë për kërkime mbi armët kimike dhe biologjike, për shkak të ngjashmërive të mundshme me sulmin në Skripal 2018.

Përdorimi i agjentëve nervorë novichok u ndalua vitin e kaluar pasi iu shtua listës së substancave të kontrolluara të konventës së armëve kimike.

Navalny po mbahet në një gjendje kome të drejtuar dhe në respirator në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit Charité. Ndërsa gjendja e tij mbetet e rëndë, një zëdhënës tha të premten e kaluar se nuk kishte rrezik të menjëhershëm për jetën e tij./ Opinion.al

Pas