Gazeta prestigjioze spanjolle El Nacional i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë, duke e paraqitur si një nga vendet më të bukura dhe ende të pazbuluara të Mesdheut.
Sipas gazetës, Shqipëria është një parajsë e vërtetë për pushime, ku turistët mund të shijojnë plazhe mahnitëse, male të egra dhe një mikpritje që nuk të harrohet lehtë, të gjitha me çmime tepër të përballueshme.
“Shumë mendojnë se për të parë plazhe të mrekullueshme duhet të udhëtosh deri në Karaibe apo Azinë Juglindore, por Shqipëria s’të zhgënjen aspak,” shkruan El Nacional.
Gazeta fillon udhëtimin me Rivierën Shqiptare, duke veçuar Ksamilin si perla e jugut, përballë ishullit grek të Korfuzit. Ujërat kristal, rëra të bardha dhe natyra e paprekur e bëjnë Ksamilin një nga plazhet më të preferuara të Mesdheut. Edhe pse shumë plazhe janë private, një ditë relaksi kushton vetëm 5 deri në 8 euro, një luks i përballueshëm për çdokënd.
Nga Ksamil, vizitorët mund të eksplorojnë atraksione natyrore si Syri i Kaltër, një burim uji i thellë dhe i mistershëm me ngjyrë magjike, si dhe Parkun e Butrintit, i mbrojtur nga UNESCO për vlerat arkeologjike dhe historike që mbart.
Por Shqipëria nuk ka vetëm det.
El Nacional vlerëson edhe veriun malor të vendit, sidomos zonën e Thethit në zemër të Alpeve Shqiptare. Ky fshat, dikur i izoluar për shkak të infrastrukturës së vështirë, është sot një destinacion i preferuar për alpinistë dhe adhurues të natyrës. Një nga aventurat më të veçanta është ecja nga Valbona në Theth, një shteg që ofron peisazhe spektakolare dhe kontakt të drejtpërdrejtë me jetën tradicionale shqiptare.
Gazeta ndalet edhe te qytetet historike që s’duhen humbur. Gjirokastra, e quajtur “qyteti i gurit”, e mbrojtur nga UNESCO, ofron një ndërthurje të arkitekturës otomane me panoramën karakteristike të jugut shqiptar. Ndërkohë, Berat, vetëm dy orë larg Tiranës, është një tjetër mrekulli arkitektonike e shpallur po ashtu pasuri botërore, e njohur për shtëpitë e bardha me dritare të shumta, që i kanë dhënë emrin “qyteti i një mijë dritareve”.
Në fund, El Nacional nuk lë pa përmendur kuzhinën shqiptare, të cilën e përshkruan si një kombinim fantastik mes ndikimeve turke, greke dhe mesdhetare. Byreku, një pite me brumë të hollë dhe mbushje me djathë e spinaq, cilësohet si specialiteti më i dashur për vendasit dhe të huajt.
“Shqipëria është një destinacion i kompletuar, me gjithçka që një udhëtar kërkon, det, mal, histori, ushqim dhe çmime të arsyeshme”, përfundon artikulli./tvklan.al