Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Harris-Trump: Debati i ashpër nxjerr në pah vizionet e kundërta të kandidatëve

2024/09/11 at 6:30 PM
në Bota, Te Fundit
Kohë leximi: 8 min
A A
Harris-Trump: Debati i ashpër nxjerr në pah vizionet e kundërta të kandidatëve

Nënpresidentja demokrate Kamala Harris dhe ish-Presidenti republikan Donald Trump nuk ishin takuar përpara debatit presidencial të së martës, por filluan menjëherë duelin politik në këtë aktivitet të rëndësishëm për zgjedhjet që mbahen më 5 nëntor.


Dy kandidatët shtrënguan fillimisht duart, zunë vendet e tyre në podiumët e vendosur në Qendrën Kombëtare të Kushtetutës në Filadelfia dhe më pas filluan të sulmojnë njëri-tjetrin.

Ata u përplasën në lidhje me ekonominë amerikane, të drejtën e abortit, emigracionin në kufirin me Meksikën, luftën e Izraelit ndaj militantëve të Hamasit në Gazë, sulmin e Rusisë në Ukrainë, si dhe sulmin ndaj Kapitolit në 6 janar 2021, ndërsa Kongresi çertifikonte humbjen e ish-Presidentit Trump në zgjedhjet e vitit 2020.

Duke iu referuar humbjes së tij përballë Presidentit Joe Biden, Nënpresidentja Harris tha se “Donald Trump u shkarkua nga 81 milionë persona. Ai e ka të vështirë ta pranojë këtë”.

Presidenti Trump pati thënë rishtazi se i kishte humbur zgjedhjet me një diferencë tepër të vogël, por gjatë debatit të së martës, ai tha se kishte qenë një koment me sarkazëm dhe nuk pranoi të njohë legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020.

“Jemi një vend në dështim”, tha ish-Presidenti Trump. “Jemi në rënie serioze dhe na qeshin në mbarë botën”.

Në një anketim të bërë pas debatit 90-minutësh, kanali televiziv CNN tha se rezultati tregonte se zonja Harris e kishte fituar debatin 63 me 37 përqind.

Këngëtarja kryesore e muzikës pop Taylor Swift, i dha mbështetjen e saj kandidates demokrate ndërsa po përfundonte debati.

Të vendosur në një distancë të afërt nga njëri-tjetri, dy kandidatët tundnin kokën duke reaguar ndaj komenteve të njëri-tjetrit, ndërsa zonja Harris reagoi duke qeshur ndaj disa prej komenteve të zotit Trump. Gazetarët e kanalit ABC News David Muir dhe Linsey Davis u përpoqën vazhdimisht ta mbanin nën kontroll rrjedhën e debatit, duke mos ia dalë mbanë gjithnjë.

Presidenti Biden bëri një paraqitje të dobët në debatin e qershorit me ish-Presidentin Trump dhe brenda një muaji u tërhoq nga kandidimi dhe i dha mbështetjen kandidaturës së zëvendëses së tij, Nënpresidentes Harris.

Të martën, zonja Harris, ish-prokurore në San Francisko dhe prokurore e përgjithshme në Kaliforni, e mësuar me shkëmbime të ashpra në sallën e gjyqit me avokatët mbrojtës, e provokoi në mënyrë të përsëritur ish-Presidentin Trump.

Në një moment, ajo i tha atij se mbështetësit e tij më të vendosur në tubimet e tij politike shpesh largoheshin herët sepse ishin të lodhur me fjalimet e tij.

Ai e përshkroi atë si një marksiste, duke thënë se ajo ishte përgatitur mirë nga babai i saj, një ekonomist i majtë. “Ajo është një liberale e majtë radikale”, tha ish-Presidenti Trump për Nënpresidenten Harris.

Zonja Harris përmendi rritjen në një familje të shtresës së mesme ku nëna e saj kursente para për vite të tëra që të mund të blente një shtëpi kur ajo ishte adoleshente.

Ndërkohë, zonja Harris tha se zotit Trump iu lanë trashëgimi 400 milionë dollarë nga babai i tij “në pjatancë argjendi dhe më pas ai bëri gjashtë herë kërkesë për fillimin e procedurave të falimentimit”.

Ish-Presidenti Trump sulmoi menaxhimin nga Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Harris të ekonomisë amerikane, ekonomia më e madhe në botë, duke thënë se SHBA-ja po bëhet “një Venezuelë në shkallë më të madhe”. Nënpresidentja Harris tha se plani i tij për vendosjen e tarifave deri në 20% për mallrat e huaja të importuara do të rezultonte të ishte një “taksë Trump ndaj produkteve”, që do t’i vendosej konsumatorëve amerikanë.

Ajo e fajësoi ish-Presidentin Trump për dhënien fund të së drejtës kushtetuese për abortin, me emërimin prej tij të tre gjyqtarëve konservatorë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Ai tha se me vendimin e vitit 2022, votuesit në shtete individuale tashmë kanë mundësinë të vendosin për këtë çështje.

“Qeveria dhe Trump-i nuk duhet t’u thonë” grave se çfarë të bëjnë me trupin e tyre, tha zonja Harris.

Ish-Presidenti Trump fajësoi Nënpresidenten Harris si pjesë e dështimit të administratës së Presidentit Biden për të vendosur nën kontroll valët e emigrantëve që kalojnë kufirin SHBA-Meksikë. Zoti Trump ka thënë se planifikon të dëbojë 11 milionë ose më shumë emigrantë pa dokumente që jetojnë në SHBA, por dy herë iu shmang pyetjes së gazetarit Muir se si do të arrestoheshin njerëzit dhe si do të ktheheshin në vendet e tyre.

Ish-presidenti iu përgjigj në mënyrë të përsëritur pyetjeve, me komente jashtë kontekstit në lidhje me trajtimin e çështjes së kufirit nga zonja Harris, të cilës republikanët kanë thënë se i ishte ngarkuar përgjegjësia për çështjet e kufirit, pasi Presidenti Biden e ngarkoi të ndihmonte në përcaktimin e shkaqeve themelore se përse njerëzit largohen nga vendet e tyre në Amerikën Qendrore për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.

Ish-Presidenti Trump bëri pretendimin e çuditshëm se emigrantët nga Haiti të vendosur në qytetin Springfield të Ohajos, po vidhnin macet dhe qentë e fqinjëve të tyre dhe po i vrisnin për ushqim.

Gazetari Muir e kundërshtoi ish-Presidentin Trump dhe tha se administratori i qytetit e kishte siguruar kanalin televiziv ABC News se pretendimi nuk ishte i vërtetë.

Ish-Presidenti Trump deklaroi se as sulmi i Rusisë në Ukrainë dhe as sulmi shokues i Hamasit në 7 tetor të vitit të kaluar ndaj Izraelit nuk do të kishin ndodhur nëse ai do të ishte president. Ai tha se nëse fiton zgjedhjet, do t’u jepte zgjidhje të dyja konflikteve që përpara se të merrte detyrën janarin e ardhshëm, por nuk tha se si do ta realizonte këtë.

Harris u përgjigj: “Nëse Donald Trump-i do të ishte president, Putini do të ishte ulur në Kiev tani, me sytë e kthyer nga pjesa tjetër e Evropës”.

Ish-Presidenti Trump refuzoi dy herë të thoshte nëse dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën. Ai tha vetëm se dëshiron që lufta të përfundojë për të parandaluar më shumë gjakderdhje.

Dhjetëra miliona amerikanë ka të ngjarë ta kenë ndjekur këtë debat elektoral që ndoshta mund të jetë debati i vetëm për zgjedhjet e këtij viti. Përballja u bë vetëm tetë javë përpara ditës së zgjedhjeve dhe vetëm disa ditë përpara fillimit të votimit të hershëm në disa nga 50 shtetet amerikane.

Në skenën e debatit, rregullat ishin po ato që u zbatuan për debatin që ish-Presidenti Trump pati me Presidentin Biden në qershor.

Mikrofonat ishin të mbyllur kur fliste njëri prej tyre dhe atyre nuk iu lejuan t’i bënin pyetje njëri-tjetrit.

Por kjo nuk i pengoi ata që ta ndërprisnin njëri-tjetrin. Gjithashtu nuk pati audiencë që ndiqte debatin në sallë.

Ky ishte debati i parë presidencial për zonjën Harris. Për zotin Trump, ishte i shtati në tre cikle zgjedhore presidenciale që nga viti 2016.

Duke folur me gazetarët pas debatit, senatori republikan Tom Cotton pyeti se përse zonja Harris nuk ka punuar për të zbatuar propozimet e saj politike gjatë mandatit si nënpresidente.

“Kamala Harris nuk iu përgjigj pyetjeve se çfarë do të bëjë për popullin amerikan dhe vazhdoi të përpiqej të kalonte në tema të tjera. Kuptohet, Donald Trump-i u mbrojt, por ajo që ai bëri më mirë ishte se shpjegoi se gjërat ishin mirë kur ai ishte president dhe nuk kanë qenë mirë për katër vitet e fundit”.

Senatori demokrat Chris Murphy tha se ish-Presidenti Trump nuk arriti të shpjegonte se çfarë do të sillte në një mandat të ri në detyrë.

“Pyetja e vërtetë është se çfarë përfaqëson Donald Trump-i? Mund të bisedojmë se si kanë ndryshuar disa nga qëndrimet e Kamala Harris-it, pasi të gjitha pozicionet tona kanë ndryshuar me kalimin e viteve bazuar në informacione të reja. Ose mund të pyesim veten a paraqiti Donald Trump-i qoftë edhe një plan të vetëm sonte për të ndihmuar popullin amerikan, përveç përsëritjes së mendimit të tij se duhet të ngremë një mur me Meksikën. Mendoj se nuk foli as edhe për një plan të vetëm — asnjë plan për kujdesin shëndetësor, asnjë plan strehimi, asnjë plan për të rritur pagat”.

Ligjvënësi demokrat Ted Lieu i tha shërbimit khmer të Zërit të Amerikës se ish-Presidenti Trump është më dobët në politikën e jashtme se Nënpresidentja Harris dhe se ish-Presidenti Trump është “miqësor me diktatorët”.

“Donald Trump-i ka një marrëdhënie të çuditshme me Putinin. Kur Putini i bën lajka Donald Trump-it, Donald Trump-i i bën lëshime Vladimir Putinit. Në të kundërt, administrata Biden-Harris ndërtoi një koalicion të tërë për ta ndalur Vladimir Putinin në Ukrainë dhe administrata Biden-Harris ka krijuar një aleancë të jashtëzakonshme vendesh në Indo-Paqësor për t’iu kundërvënë agresionit”, tha ligjvënësi Lieu.

Ligjvënësi republikan Matt Gaetz i tha shërbimit khmer të Zërit të Amerikës se ish-Presidenti Trump e fitoi debatin, duke nënvizuar “politikat e rrezikshme liberale” të Nënpresidentes Harris.

“Presidenti Trump bëri punën e tij për t’u treguar njerëzve se ai është forca për ndryshimin në këto zgjedhje. Presidenti Trump pasqyroi ankthin ekonomik të popullit amerikan, shqetësimin që ka populli amerikan për sigurinë e tyre dhe për mundësinë për të jetuar në një botë që nuk do të hyjë në Luftën e Tretë Botërore”, tha ligjvënësi Gaetz.

Anketimet në nivel kombëtar tregojnë se gara është e ngushtë, duke ia shtuar kështu rëndësinë debatit dhe duke e bërë vendimtare për të dy kandidatët që të paraqiten sa më mirë për të ndikuar në numrin e vogël të votuesve të pavendosur. Votuesit do të përcaktojnë nëse do të rikthehet Donald Trump-i në Shtëpinë e Bardhë, pasi humbi mundësinë të rizgjidhet në vitin 2020 përballë Joe Biden-it, apo nëse do të ngjitet në këtë detyrë Kamala Harris, zëvendësja e Presidentit Biden.

Demokratët u bashkuan në mbështetje të kandidaturës së Nënpresidentes Harris kur Presidenti Biden hoqi dorë nga kandidimi dhe i dha mbështetje zonjës Harris si pasuese e tij. Megjithëse kur i dha fund kandidimit Presidenti Biden renditej pas ish-Presidentit Trump në anketime, Nënpresidentja Harris ia ka kaluar ish-Presidentit Trump në disa anketime në nivel kombëtar me 2 ose 3 përqind.

Por një anketim i gazetës “The New York Times” dhe Kolegjit Siena i publikuar të dielën tregoi se ish-Presidenti Trump kryeson në rang kombëtar, me një mbështetje prej 48% përkundër 47% për Nënpresidenten Harris. Gazeta megjithatë vuri në dukje se zonja Harris kryesonte lehtë në disa anketime në tre shtete kryesore për betejën elektorale: në Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani. Dy kandidatët rezultuan me nivel të barabartë mbështetjeje në katër shtete të tjera vendimtare: në Arizona, Xhorxhia, Nevada dhe Karolinën e Veriut.

Këto shtatë shtete pritet të luajnë një rol të madh në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve, pasi Shtetet e Bashkuara nuk e zgjedhin presidentin dhe nënpresidentin me votën e drejtpërdrejtë popullore.

Realisht, zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara zhvillohen në 50 gara të veçanta shtet pas shteti, kur përzgjidhen elektorët që do të përfaqësojnë votat e tyre në Kolegjin Zgjedhor. Numri i votave në Kolegjin Zgjedhor për secilin shtet bazohet tek popullsia, kështu që shtetet më të populluara kanë ndikimin më të madh.

Anketimi i gazetës “New York Times” dhe Kolegjit Siena tregoi se rëndësia e debatit ishte veçanërisht e lartë për zonjën Harris në prezantimin e saj përpara publikut amerikan, me 28% të të anketuarve që thanë se u duhej të dinin më shumë për të, ndërsa vetëm 9% thanë të njëjtën gjë për zotin Trump.

Ish-Presidentit Trump, 78 vjeç, dukej sikur ndonjëherë i mungonte kandidimi në fushatën elektorale kundër Presidentit Biden, 81 vjeç. Zoti Trump ende nuk ka zhvilluar një linjë të qëndrueshme sulmi ndaj zonjës Harris, 59 vjeçe, edhe pse gjatë debatit ai e sulmoi zonjën Harris për çdo pyetje të bërë nga drejtuesit e debatit, gazetarët e kanalit televiziv ABC.

Nëse zgjidhet, zonja Harris do të jetë gruaja e parë dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore që do të shërbejë si presidente e Shteteve të Bashkuara, si dhe personi i dytë me ngjyrë në këtë detyrë pas Barack Obamës./ VOA



Ju sugjerojmë

Aksion policor në Korçë/Dy persona në prangat e policisë, priten disa urdhër-arreste
Aktualitet

Aksion policor në Korçë/Dy persona në prangat e policisë, priten disa urdhër-arreste

15 Maj, 2025 8:41 pm
Premtimet ekonomike të Presidentit të zgjedhur Trump
Bota

Trump thotë se SHBA-ja do ta bënte Gazën “zonë të lirisë”

15 Maj, 2025 8:26 pm
Samiti i 16 Majit, të premten bllokohen rrugët për 12 orë
Aktualitet

Samiti i 16 Majit, të premten bllokohen rrugët për 12 orë

15 Maj, 2025 8:09 pm
Vota e diasporës, KQZ merr vendimin:Vetëm një vëzhgues partiak për çdo grup numërimi
Kryesore

Vota e diasporës, KQZ merr vendimin:Vetëm një vëzhgues partiak për çdo grup numërimi

15 Maj, 2025 7:59 pm
Samiti Politik Evropian, mbërrin në Tiranë edhe kryeministri finlandez
Kryesore

Samiti Politik Evropian, mbërrin në Tiranë edhe kryeministri finlandez

15 Maj, 2025 7:48 pm
Mesazhi i Putin këtë fundvit: Perëndimi gënjeu për paqen, fati i Rusisë është prioritet
Bota

Ekonomia ruse më e dobët nga sa deklaron Moska

15 Maj, 2025 7:20 pm
Të paktën 54 të vrarë në Gazë nga bombardimet e pareshtura izraelite
Bota

Të paktën 54 të vrarë në Gazë nga bombardimet e pareshtura izraelite

15 Maj, 2025 6:57 pm
Kryeministri britanik viziton Qendrën e Inovacionit dhe Muzeun e FA
Politikë

Kryeministri britanik viziton Qendrën e Inovacionit dhe Muzeun e FA

15 Maj, 2025 6:36 pm
“Sa herë hyj në zyrë dhe shoh atë kanoçe”,rrëfimi i veçantë i Costa-s për Shqipërinz
Politikë

“Sa herë hyj në zyrë dhe shoh atë kanoçe”,rrëfimi i veçantë i Costa-s për Shqipërinz

15 Maj, 2025 6:17 pm
Celibashi në KZAZ 30: U përjashtuan vëzhguesit politikë, do të lejohet media dhe…
Kryesore

Celibashi në KZAZ 30: U përjashtuan vëzhguesit politikë, do të lejohet media dhe…

15 Maj, 2025 6:12 pm
Para
Taylor Swift mbështet kandidaten demokrate për presidente Kamala Harris

Taylor Swift mbështet kandidaten demokrate për presidente Kamala Harris

Kosovë/ Agjencia për Privatësi i rekomandon KQZ-së që të mos e përdorë ngjyrën matrikuluese në zgjedhje

Kosovë/ Agjencia për Privatësi i rekomandon KQZ-së që të mos e përdorë ngjyrën matrikuluese në zgjedhje

Erdogan thirrje Rusisë: Ktheji Krimenë Ukrainës

Erdogan thirrje Rusisë: Ktheji Krimenë Ukrainës
















TE FUNDIT

Aksion policor në Korçë/Dy persona në prangat e policisë, priten disa urdhër-arreste

Aksion policor në Korçë/Dy persona në prangat e policisë, priten disa urdhër-arreste
15 Maj, 2025

Prej mëngjesit të sotëm policia e Korçës ka nisur një operacion në shkallë të gjerë për sekuestrimin e lëndëve narkotike....

Lexo më shumë

Trump thotë se SHBA-ja do ta bënte Gazën “zonë të lirisë”

Premtimet ekonomike të Presidentit të zgjedhur Trump
15 Maj, 2025

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përsëritur të enjten dëshirën e tij për ta marrë nën kontroll...

Lexo më shumë

Samiti i 16 Majit, të premten bllokohen rrugët për 12 orë

Samiti i 16 Majit, të premten bllokohen rrugët për 12 orë
15 Maj, 2025

Prej orës 06:00 të mëngjesit të së premtes e deri në orën 18:00, lëvizja e automjeteve dhe këmbësorëve do të...

Lexo më shumë

Vota e diasporës, KQZ merr vendimin:Vetëm një vëzhgues partiak për çdo grup numërimi

Vota e diasporës, KQZ merr vendimin:Vetëm një vëzhgues partiak për çdo grup numërimi
15 Maj, 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dal pak minuta më parë me një vendim të ri lidhur me procesin e numërimit...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com