Në Tiranë nuk ka përfunduar akoma aksioni për lirimin e hapësirave publike.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku denoncon veprimin e disa subjekteve që, sipas tij, kanë marrë peng këto hapësira të rëndësishme për jetën e përditshme të banorëve.
Rama thekson nevojën për rivendosjen e kufirit mes të drejtës dhe të paligjshmes në hapësirat publike, duke siguruar se këto zona do t’i kthehen komunitetit, me qëllim mbrojtjen e interesave të familjeve, të moshuarve dhe fëmijëve që jetojnë në zonat përreth.
“3 – 4 subjekte kanë marrë peng tërë hapësirën komunitare dhe pyetja për disa komentatorë që qajnë hallin këtu e gjetkë, se duke rivendosur kufirin mes të drejtës e të paligjshmes në hapësirat publike po goditen kursimet e “popullit”, është e thjeshtë:
Kush është populli, këta tre katër guximtarë që kanë zënë tërë lulishten e komunitetit apo familjet, të moshuarit, fëmijët, që jetojnë në pallatet përreth dhe dalin nga shtëpitë përmes shtigjeve të lëna nga bizneset?!
Edhe kjo hapësirë edhe çdo hapësirë si kjo, do t’i kthehen komunitetit, ndërsa bizneset do të jenë vlerë e shtuar, por pa shkelur kufirin e të drejtës së popullit për të lëvizur e marrë frymë lirisht”, ka shkruar kryeministri Rama.