Damian Gjiknuri njoftoi sot nëpërmjet Facebook se është takuar me ambasadorin e Gjermanisë Peter Zingraf. Në qendër të diskutimit të tyre sipas Gjiknurit ka qenë reforma zgjedhore dhe çuarja para e saj sa më shpejtë.
Gjiknuri është bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore sëbashku me deputeten Rudina Hajdari. Në postimin e tij në Facebook ai bën me dije se brenda shtatorit do të organizohet një tryezë gjithëpërfshirëse ku do të diskutohen çështjet e sistemit zgjedhor.
Javën që lamë pas, në seancën e parë të sesionit parlamentar, Hajdari kërkoi heqjen e Gjiknurit si bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore. Këtë kërkesë ajo e bëri pasi emri i tij përmendet në përgjimet e publikuara nga gazeta Bild. Sot ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës flet për dakordësim me Hajdarin.
Në tryezën gjithëpërfshirëse në Komisionin e reformës zgjedhore është ftuar edhe opozita jashtë parlamentare. Madje kryeministri Rama ka premtuar edhe të drejtën e vetos. Nga kampi opozitar ende nuk ka një reagim në lidhje me këtë çështje. /Opinion.al