Pas takimeve të zhvilluara ditët e fundit me anëtarë të Grupit të Miqësisë Francë – Shqipëri në Paris, Rudina Hajdari ka qenë sot prezente në mbledhjen e radhës së Kuvendit. Fjala e saj në Parlament ka qenë një sulm me tone të ashpra dhe siç e perifrazoi ajo “me shpirt” ndaj klasës politike shqiptare, duke i cilësuar ata si “të marrë fund”.
Sipas Hajdarit krerët e politikës shqiptare kanë bërë marrëveshje dhe po shijojnë “dashurinë në kohën e kolerës”.
“Njerëzit hapin sytë dhe i ngrenë nga Perëndia. Shqiptarët nuk dinë cilës derë t’i bien, ndërkohë që në Tiranë po zhvillohet një teatër i shëmtuar i njerëzve që po shijojnë dashurinë në kohën e kolerës. Ç’faj kanë njerëzit, rinia, biznesi? Kritika kryesore që iu bëj njerëzve është që të flasin me ndjesi dhe jo me fakte. Kësaj here do dal nga ky rregull dhe do flas me shpirt. Në kohë të jashtëzakonshme, është e udhës të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Shumë njerëz më thonë “mos, se ky vend ka marrë fund, Shqipëria nuk bëhet, mos se këta janë të rrezikshëm, kanë bërë marrëveshje”. Por, unë e ndjej se nuk jam vetëm, ky vend nuk ka marrë fund, këta njerëz kanë marrë fund. Këta nuk janë të rrezikshëm, por janë të frikësuar në palcë. Këta kanë bërë marrëveshje”, u shpreh Rudina Hajdari nga foltorja e Kuvendit./ Opinion.al