Kriza politike që ka mbërthyer Maqedoninë ka detyruar Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, të rikthehet në Shkup. Zyrtari i lartë europian u takua përfaqësuesit e partive shqiptare, të cilëve u theksoi rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve dhe daljes nga kriza përmes dialogut. Pas takimit me Hahn, Kryetari BDI-së Ali Ahmeti u bëri thirrje dy partive të mëdha të punojnë për zgjidhjen e ngërçit.
Ali Ahmeti (Kryetar i BDI-së): Kërkojmë që palët që kanë përgjegjësi për dalje nga situata VMRO-DPMNE dhe LSDM të përafrojnë qëndrimet dhe të tejkalohet ngecja. Nuk jam ithtar që të hyhet me forcë në institucionet e shtetit prandaj do të presim që çështja të zgjidhet në rrugë institucionale.
Komisioneri Hahn, i shoqëruar nga 3 eurodeputetët, Eduard Kukan, Knut Flekenshtajn dhe Ivo Vajgël, zhvilli një takim edhe me kreun e LSDM-së Zoran Zaev, ndërsa në axhendën e tij ishte parashikuar edhe takimi me presidentin Ivanov, por zyra e kreut të Shtetit njoftoi për anulimin e takimit për shkak të angazhimeve jashtë vendit të Ivanov.
Ali Ahmeti tha se vendimi i presidentit për të shmangur takimin me Hahn, nuk është diçka e mirë.
Vizita e komisionerit europian u prit me protesta në Shkup nga mbështetës të VMRO-DPMNE-së, të cilët kundërshtojnë platformën e partive shqiptare.
Tv Klan