Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha se dialogu Prishtinë-Beograd dhe rezultati i tij është “bërthamë e përparimit” të rajonit në rrugën e integrimit evropian.
Teksa fliste në Beograd, në një konferencë të përbashkët me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, Hahn tha se e ardhmja evropiane e Serbisë qëndron në normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe se ky normalizim do të vazhdojë të mbështetet nga BE-ja.
Hahn arriti në Beograd të enjten në mbrëmje, kur edhe u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në një njoftim të Presidencës së Serbisë, u tha se Vuçiç dhe Hahn shqyrtuan çështjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe situatën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, ndaj së cilës, siç tha Vuçiç, Serbia “reagoi me qetësi dhe përgjegjësi”./Opinion.al