Gjykata e Hagës vendosi vijimin e paraburgimit edhe për dy muaj tjerë për Hashim Thaçin.
Bëhet fjalë për rastin ku ai është akuzuar për krime lufte bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Siç shkruajnë mediat në Kosovë, vendimi është marrë me 11 qershor, me pëlqimin e kryetarit të trupit gjykues, Charles L. Smith.
Vendimi vjen pas përfundimit të dhënies së dëshmive nga personat e thirrur nga Prokuroria Speciale. Zyra e kësaj të fundit argumentoi se ekziston rreziku i ikjes dhe dëmtimit të procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Siç shprehen mediat në Kosovë, pavarësisht se nuk ka pasur prova “të kënaqshme” se Thaçi mund të arratiset, gjykata ka argumentuar se ish-presidenti i Kosovës mund të ndikojë në dëshmitarë dhe të dëmtojë procesin e gjykimit. Njëkohësisht paneli vë në pah faktin e zgjatjes së procesit gjyqësor.
“Megjithatë, Paneli vëren se z. Thaçi ka qenë tashmë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohore dhe gjykimi në këtë rast është zgjatur. Siç e ka treguar më parë Paneli, kjo do të kërkojë që Paneli, si dhe të gjitha palët, të jenë veçanërisht të vëmendshëm ndaj nevojës për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në parashtesën e panelit të gjykatësve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u arrestuan në Hagë më 5 Nëntor të vitit 2020.
Secili prej tyre u deklarua i pafajshëm për akuzat e ngritura në Gjykatën Speciale./tvklan.al