Komente

Guerrilja e vezëve dhe oferta qeverisëse e opozitës


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:04 - 02/03/16 |
b.f

Nga Mark MARKU

Aksioni i ditëve të fundit të opozitës në Parlament, ku disa deputetë të saj qëlluan me vezë dhe letra të lagura Kryeministrin Rama në sallën e Parlamentit, ka sjellë në qendër të vëmendjes dhe debatit politik shqiptar PD-në, si forcën kryesore opozitare të vendit.

Kjo shpjegohet me përmasën spektakolare të një veprimi të tillë: vezë që fluturojnë nga xhepat e deputetëve mbi kokën e Kryeministrit pa goditur asnjëra në shenjë, Kryeministri që braktis Parlamentin duke sharë opozitën dhe gratë e saj, sejmenë mediatikë dhe politikë që sulmojnë guerilasit (terroristët) opozitarë të kapur me vezë në dorë, deputetë të opozitës që me pamje prej heronjsh rrëfejnë me imtësi se si lagën letrat, se si infiltruan vezët në Parlament dhe se si ia hodhën ato Kryeministrit e kështu me radhë.

Kjo shpjegohet me përmasën spektakolare të një veprimi të tillë: vezë që fluturojnë nga xhepat e deputetëve mbi kokën e Kryeministrit pa goditur asnjëra në shenjë, Kryeministri që braktis Parlamentin duke sharë opozitën dhe gratë e saj, sejmenë mediatikë dhe politikë që sulmojnë guerilasit (terroristët) opozitarë të kapur me vezë në dorë, deputetë të opozitës që me pamje prej heronjsh rrëfejnë me imtësi se si lagën letrat, se si infiltruan vezët në Parlament dhe se si ia hodhën ato Kryeministrit e kështu me radhë.

Pse kundërproduktive dhe pse zhgënjyese? Sulmi me vezë është kundërproduktiv sepse me ngjarjen, alegrinë, pezmin apo zhurmën që prodhoi e sfumoi menjëherë lajmin e rikthimit në Parlament të deputetit socialist, i cili është ende në një proces gjyqësor. Edhe pse në terma juridikë, deputeti Armando Prenga kishte të drejtë të kthehej në Parlament, pasi si çdo qytetar tjetër ka të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe si i tillë të ushtrojë edhe të gjitha funksionet deri në një vendim gjykate, kthimi i tij ishte një argument më shumë për opozitën në kauzën e dekriminalizimit të Parlamentit dhe një provë më shumë për hipokrizinë e Kryeministrit Rama lidhur me këtë çështje.

Me gallatën që na serviri, PD e largoi vëmendjen nga akti ndaj të cilit po reagonte duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm qeverisë, e cila, po të mos e kishte organizuar opozita, do të duhej ta kishte krijuar vetë një ngjarje të tillë. Përveç kësaj, kjo ngjarje, me spektaklin që ofroi, sfumoi edhe dy ngjarje të tjera të mëdha, me të cilat po përballet maxhoranca këto ditë: protestat e shoqërisë civile ndaj ndërhyrjeve shkatërruese në Parkun e Liqenit Artificial dhe protestat e bizneseve të kryeqytetit ndaj rritjes së taksave nga Bashkia e Tiranës.

Të dyja këto protesta e kanë nxjerrë lakuriq maxhorancën para qytetarëve të kryeqytetit, të cilët e shikojnë tashmë qeverinë socialiste si një kërcënim serioz të ambientit ku jetojnë, të jetës së tyre dhe si një vrasës të shpresës për një jetë normale në Shqipëri. Me shfaqjen që organizoi, PD bëri që këto dy protesta të kalonin në plan të dytë duke sabotuar dashje pa dashje rritjen e rezistencës qytetare ndaj pasojave të qeverisjes socialiste.

Por, përveç kundërproduktivitetit, veprimi i opozitës në Parlament është shqetësues për seriozitetin me të cilin opozita po përgatit ofertën e vet për zgjedhjet elektorale të vitit të ardhshëm. Në më pak se një vit e gjysmë nga zgjedhjet elektorale, PD ende nuk ka formuluar një ofertë të qartë dhe shpresëdhënëse qeverisjeje.

Denoncimet e saj me konferenca shtypi, banalitetet dhe mediokritetet, tashmë të shndërruara në rutinë, me të cilat liderët dhe politikanët e saj mbushin pjesën më të madhe të fjalimeve të tyre në Parlament apo në media, janë shumë larg pretendimeve për një ofertë motivuese për qytetarët e irrituar.

Vendi po përballet me probleme jashtëzakonisht të rënda, pasojë e dështimit më të madh qeverisës në vitet e tranzicionit. Do të duhej që PD të kishte një qasje më serioze ndaj këtyre problemeve të rënda: së pari duke i evidentuar ato para qytetarëve, më pas duke krijuar klimën e debatit me të gjitha shtresat e shoqërisë të prekura prej këtyre problemeve, dhe në fund duke paraqitur alternativën opozitare të zgjidhjes së tyre.

Kjo do të ngjallte interesin e qytetarëve për veprimin opozitar e më pas, ndoshta, edhe angazhimin e tyre në kauzën opozitare. Deri tani, PD dhe liderët e saj kanë shprehur qartë vetëm dëshirën e tyre për të rrëzuar nga pushteti qeverinë e Edi Ramës dhe zëvendësimin e kësaj qeverie me një qeveri të vetën, por kjo nuk është as shpresëdhënëse, as ngushëlluese për qytetarët.

Ky zëvendësim është problem i PD-së dhe figurave kryesore të saj, por jo i shqiptarëve. Për shembull, qytetarët shqiptarë i frymëzon shumë pak ideja se në zgjedhjet e ardhshme Ilir Beqja do të zëvendësohet me Albana Vokshin, apo Saimir Tahiri me ndonjë nga kandidatët e shumtë&nbsp;për t’i zënë vendin nga deputetët e opozitës.

Për shqiptarët është shqetësim korrupsioni dhe jo zëvendësimi disa të korruptuarve të PS-së me disa të korruptuar në PD. Ende një pjesë e mirë e elitës së korruptuar politike të kësaj partie të lidhur me qeverisjen 8-vjeçare të PD-së janë pjesë e strukturave drejtuese të kësaj partie dhe e Grupit të saj Parlamentar. Për shqiptarët janë shqetësim taksat e rënda dhe papunësia.

Shqiptarët nuk të besojnë nëse deklaron se do të ulësh taksat kaq apo aq për qind, por nëse paraqet një ofertë të argumentuar për këtë problem, nëse jep zgjidhje ekonomike të besueshme për uljen e papunësisë, nëse paraqet një reformë të mirëmenduar të sistemit shëndetësor, arsimor, një qasje të re ndaj fermerëve, një koncept të ri për administratën publike.

Një gjë të tillë PD nuk e ka bërë ende dhe është kjo arsyeja pse, me gjithë qeverisjen më të dështuar në këto 25 vite, aksioni opozitar nuk shndërrohet në kauzë të qytetarëve. Ajo është tashmë e vonuar dhe nuk ka kohë as për estradë, as për deputetë që sulmojnë me vezë, as për bojkot apo hedhje mandatesh, po për projekte, ide dhe ekipe që garantojnë realizimin e tyre. Madje, edhe nëse aksidentalisht vjen në pushtet për shkak të dështimit të qeverisë Rama, ajo rrezikon të dështojë shumë shpejt në qeverisjen e saj, pasi një opozitë e papërgatitur si e tillë rrezikon të dështojë si forcë qeverisëse.

Shembulli më i mirë është qeveria Rama, e cila sa qe në opozitë nuk bëri as gjë tjetër veç spektaklit opozitar dhe pasi erdhi në pushtet, nuk bëri asgjë tjetër veçse e shndërroi spektaklin opozitar në spektakël qeveritar.

Fakti që në vend të një projekti serioz PD na servir shfaqje argëtuese, na bën ta humbim shpresën se ajo ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë në ditët e pakta që i kanë deri në zgjedhjet e ardhshme. Dhe i argëtuari kryesor në këtë histori është Edi Rama, madje edhe nëse ndonjë ditë e kap ndonjë nga vezët e deputetëve të opozitës.

/Botuar në gazetën Panorama

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas