Personi më i vjetër në botë, japonezja Kane Tanaka, mbush 118 vjeç sot. E lindur në 2 Janar 1903, Tanaka ështe njohur tashmë në Mars të vitit 2019 nga Libri i Rekordeve Guinness si gruaja më e vjetër në planet.
Rezidente në një shtëpi të moshuarish në Fukuoka, Tanaka festoi ditëlindjen e saj duke falënderuar stafin dhe të gjithë njerëzit me të cilët ndan aktivitetet e përditshme aty.
Sipas raporteve nga qendra e trajtimit, Tanaka bën gjimnastikë të përditshme, është në gjendje të kryejë llogaritjet dhe është e apasionuar pas lojës së bordit japonez Reversi.
Tanaka zakonisht ka oreks të mirë, shpesh është e dhënë pas çokollatës dhe herë pas here kënaqet me një Coca Cola. Kur u pyet se cili ishte sekreti i jetëgjatësisë, Kanaka nuk hezitoi: “Hani ushqim të shijshëm dhe mos ndaloni kurrë së studiuari”. Qëllimi i saj, është të arrijë 120 vjet./Opinion.al