Bota

Greqia kundër shitjes së nëndetëseve gjermane për Turqinë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 22:57 - 07/07/21 |
Opi Nion

Greqia po dyfishon përpjekjet diplomatike disamujore për të bindur Gjermaninë që të ndalojë shitjen e nëndetëseve të saj për Turqinë, duke thënë se shitja e planifikuar e nëndetëseve do të ndryshonte ekuilibrin e fuqisë detare në Mesdheun lindor.

Greqia dhe Turqia janë përfshirë në mosmarrëveshje rreth statusit territorial të tokave dhe ujërave të Mesdheut – dhe më e rëndësishmja, rreth rezervave të gazit dhe naftës që gjenden aty. Rezervat energjitike të Mesdheut lindor kanë bërë që të shtohen interesat e fuqive fqinje.

Turqia ka thënë se do të vazhdojë kërkimet për naftë dhe gaz në ujërat e debatueshme të Mesdheut lindor, skenë kjo ku gushtin e kaluar pati një përplasje mes anijeve ushtarake turke dhe greke gjatë një ballafaqimi detar. Situata bëri që të dy vendet anëtare të NATO-s të ishin shumë pranë një përplasjeje ushtarake.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të premten, gjatë një turneu në provincën veriperëndimore të Turqisë në Sakarya të Detit të Zi: “Cilatdo qofshin të drejtat tona, ne do t’i marrim ato në një mënyrë ose në një tjetër. Do të vazhdojmë operacionet tona të kërkimit të naftës në Mesdheun lindor, Qipro dhe të gjitha ato dete”, tha ai.

Nëndetësja e parë, nga gjashtë nëndetëset gjermane me destinacion Turqinë, u hodh në det në fillim të vitit, dhe parashikohet t’i bashkohet flotës detare turke vitin që vjen. Pesë nëndetëset e tjera të klasit Reis do të dorëzohen gjatë viteve që vijnë në bazë të marrëveshjes me vlerë rreth 4 miliardë dollarë.

Greqia i kërkoi Bashkimit Evropian muajin e kaluar që të vendoste një embargo armësh ndaj Turqisë, por Gjermania, Spanja dhe Italia e kundërshtuan kërkesën.

“Greqia është gjendur në mes të ndryshimeve jashtëzakonisht të shpejta gjeopolitike në Mesdheun lindor”, thotë Vassilis Ntousas, këshilltar i politikave për marrëdhëniet ndërkombëtare në Fondacionin për Studime Progresive Evropiane në Bruksel.

“Athina ka reaguar ndaj një përzierjeje shpërthyese interesash konkurruese detare, pretendimeve energjitike dhe manovrave ushtarake, duke ndjekur një politikë të jashtme gjithnjë e më proaktive”, thotë ai. Në një shkrim të botuar javën e kaluar ai thotë se, “Greqia ka biseduar me vendet anëtare (BE) që zakonisht ndjekin një qasje më pajtuese ndaj Turqisë si Spanja, Italia dhe Malta.”

Tensionet detare janë ulur kohët e fundit në Mesdheun lindor, ku Greqia dhe Turqia kanë një mosmarrveshje të gjatë lidhur me statusin e Qipros, pas disa raunde bisedimesh kokë më kokë mes kryediplomatëve të Athinës dhe Ankarasë.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe zoti Erdogan u takuan gjithashtu gjatë Samitit të NATO-s në Bruksel në qershor, ndërsa që të dy u zotuan për të mos zhvilluar stërvitje detare gjatë muajve të ardhshëm.

Gazeta e përditshme greke Kathimerini, që botohet në Athinë, tha se zoti Erdogan “u duk i prirur për të mos shkaktuar tensione” duke shtuar se “një sezon i qetë turizmi është po aq i rëndësishëm për Turqinë sa ç’është edhe për Greqinë. Për më tepër, zoti Erdogan dëshiron të zbusë marrëdhëniet me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.”

Presidenti Erdogan ka irrituar aleatët e NATO-s duke blerë raketa ruse tokë-ajër dhe duke ndërhyrë në Siri dhe Libi.

Por prapa skenës, Greqia dhe Turqia kanë manovruar për të forcuar pozicionet e tyre diplomatike – si dhe ushtritë e tyre.

“Presidenti i Turqisë po përpiqet të tingëllojë më i dobishëm për Perëndimin. Por objektivat e politikës së tij më të gjerë nuk kanë ndryshuar”, thotë Dimitar Bechev, autor i një libri mbi zotin Erdogan që do të publikohet së shpejti.

Ai thotë se zoti Erdogan ka qenë i përfshirë në “një ofensivë joshjeje për disa muaj”, që synon të rindezë marrëdhëniet e tij me Perëndimin dhe administratën e Presidentit Biden. Presidenti turk u takua me homologun amerikan muajin e kaluar.

“Hapat përafruese drejt zotit Biden janë përgjithësisht në përputhje me dëshirën e Erdoganit. Ai do që të ruajë marrëdhënie të arsyeshme, të mira me Uashingtonin, pavarësisht anti-amerikanizmit toksik në mediat turke dhe tek publiku në përgjithësi. Ai kërkon të kapet pas NATO-s, ndërsa në të njëjtën kohë të bashkohet me Rusinë për çështje ku interesat e tyre përputhen”, shkruan ai në një koment për Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.

Turqia, ushtria e dytë më e madhe e NATO-s, po bën blerje të mëdha ushtarake, po ashtu edhe Greqia.

Greqia njoftoi në dhjetor se po dyfishon shpenzimet e saj vjetore për mbrojtjen në 6.6 miliardë dollarë, ndërsa nënshkroi një marrëveshje prej 3 miliardë dollarësh në janar me Francën për të blerë 18 aeroplanë luftarakë të tipit Rafale, 12 prej tyre të përdorur.

Ndërkohë Turqia po pret nga Spanja ndërtimin e një aeroplanmbajtësjeje të lehtë. Nëndetëset që Gjermania po i shet Turqisë kanë sisteme AIP, që do të thotë se ato mund të lëvizin pa ajrin e nevojshëm që normalisht përdorin motorët me naftë. Ato mund të qëndrojnë nën ujë për tre javë. Ekspertët detarë thonë se këto nëndetëse janë të përshtatshme për ujërat e cekëta të Mesdheut lindor dhe mund të armatosen me raketa me rreze të mesme kundër anijeve.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias shprehu zhgënjimin e tij të thellë muajin e kaluar kur koalicioni qeverisës gjerman bllokoi përpjekjet në parlament nga ligjvënësit e opozitës për të ndaluar shitjen e nëndetëseve.

“Kryeministri Mitsotakis dhe unë kemi folur shumë herë me pothuajse të gjithë në Gjermani mbi domosdoshmërinë për të mbajtur ekuilibrin në Egje”, tha për gazetarët zoti Dendias. Ai paralajmëroi se marrëveshja për nëndetëset rrezikon prishjen e ekuilibrit në Detin Egje në favor të Ankarasë. /VOA

Pas