Greqia i kërkoi Turqisë të ndalojë veprimet e paligjshme në Mesdheun lindor, duke thënë se një veprimtari e tillë është provokuese dhe minon paqen dhe sigurinë në rajon.
“Greqia nuk do të pranojë asnjë shantazh. Ajo do të mbrojë të drejtat e saj sovrane,” tha ministria e Jashtme greke në deklaratë.
Tensionet mes dy vendeve anëtare të NATO-s janë në rritje e sipër për shkak të planeve të Turqisë për të kërkuar naftë dhe gaz natyror në rajonin e Mesdheut lindor.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi më 7 gusht se Turqia ka rifilluar kërkimet për gaz dhe naftë në Mesdheun lindor, duke akuzuar Greqinë fqinje se ka dështuar të mbajë premtimet e saj.
Sakaq, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që Turqia të “sanksionohet” duke e akuzuar Ankaranë për shkelje të të drejtave të Greqisë dhe Qipros, pasi të tre vendet përpiqen të shfrytëzojnë rezervat e zbuluara së fundmi./Opinion.al