Greqia ka vendosur që të shtojë masat e sigurisë, në përpjekje për t’u përballur me valën e emigrantëve që vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika.
Ministri i Mbrojtjes grek, deklaroi se po planifikojnë që të vendosin një barrierë lundruese me gjatësi 2.7 kilometra e cila do të vendoset në detin Egje, jashtë ishullit të Lesbos, ku gjendet kampi i mbipopulluar Moria.
“Ne do të shohim se cili është rezultati, dhe efekti i saj si parandalues në praktikë”, tha ministri i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos për Skai Radio.
Më shumë se një milionë emigrantë janë larguar nga konfliktet në Lindjen e Mesme për në Turqi, dhe nga aty, kanë kaluar në territorin grek.
Fluksi më i madh i hyrjeve ndodhi në vitet 2015-2016 megjithatë vetëm vitin e kaluar, 59.726 persona arritën në brigjet e Greqisë, sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara.
Një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Turqisë më 2016 zvogëloi fluksin e emigrantëve, por mbyllja e të gjithë kufijve në Ballkan, bëri që mijëra emigrantë të mbesin në Greqi, kështu që ishujt grekë po përballen ende me kampe të mbipopulluara. /Opinion.al