Dy gazetat historike “To Vima” dhe “Ta Nea” të grupit mediatik “DOL” janë detyruar të publikojnë sot numrin e tyre të fundit.
Me një artikull me titull “Kush po e mbyt shtypin”, aksioneri kryesor i tyre, Stavros Psiharis përshkruan sesi bankat kreditore të grupit mediatik kanë vendosur të ngrijnë dhe të përvetësojnë çdo të ardhur, si nga shitja, ashtu edhe nga reklamat, për të plotësuar pjesën e pashlyer të kredive të dhëna prej rreth 300 mln eurosh, që nuk ishin shlyer për një kohë të gjatë.
Bashkë me dy gazetat, ndalojnë punën edhe portali “in.gr”, stacioni radiofonik “Vima 95.5”, si dhe disa revista. Në artikull kritikohen si qeveria, ashtu edhe opozita për indiferencën ndaj mbylljes së vazhdueshme të medieve në mbarë vendin.
Në këtë mënyrë, nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë financiare, rreth 500 gazetarë dhe personel teknik humbasin vendet e punës, kompensimet dhe pagat e 6 muajve të fundit të papaguara, ndërsa grupi mediatik në ditët në vijim bëhet pjesë e një regjimi të veçantë të menaxhimit, nga ana e bankave kredituese.
Mbyllja e dy gazetave historike tregon edhe njëherë se sektori i shtypit është ai që ka pësuar goditjen më të rëndë nga kriza ekonomike në Greqi, pasi prej vitit 2008 të ardhurat e gazetave dhe kanaleve televizive u reduktuan në masën 70%.
Vetëm gjatë viteve të krizës, përveç gazetave të mëdha si “Eleftherotipia”, “Apogjevmatini” dhe “Adesmetos Typos” janë mbyllur mbi 50 gazeta të tjera lokale, pasi shitjet ranë me më shumë se 40%. Gjithashtu u mbyllën edhe dy kanale të mëdha televizive, si “Alter” dhe “Mega”, ndërsa papunësia në radhët e gazetarëve ka shkuar tashmë në 60%.
Burimi: Top Channel