Fluturimet në dhe nga aeroporti i Kretës u rikthyen normalisht të martën në mëngjes, pasi fermerët përfunduan protestën aty.
Të hënën, disa fermerë hodhën gurë drejt policisë dhe hynë me forcë në pistë, duke shkaktuar anulimin e tre fluturimeve dhe vonesa të tjera. Protestat janë pjesë e një lëvizjeje kombëtare, ku fermerët me mijëra traktorë dhe kamionë kanë bllokuar rrugët për shkak të vonesave në financime.
Fermerët grekë përballen me mungesë fondesh mbi 600 milionë euro pas një skandali korrupsioni që ka ngadalësuar disbursimet e ndihmave të BE-së. Aksionet e tyre bllokuese vazhdojnë duke sjellë probleme në disa akse rrugore, gjithashtu edhe në porte.














