Komandanti i RENEA-s Vasillaq Sota, i cili rezultoi të jetë xhaxhai i Orest Sotës, është shprehur sot se secili mban përgjegjësi për veprimet e veta që kryen.
“S’mund të merremi akoma me histori se ka një dajë ballist e një xhaxha partizan. Secili mban përgjegjësi për veprimet e veta që kryen, dhe përgjegjësinë le ta mbajë nipi për çfarë ka kryer. Unë gradën në polici e kam marrë me gjak dhe s’ma ka dhënë nipi”, është shprehur ai për Shqiptarja.com, i pyetur pas arrestimit të nipit të tij.
Emri i Vasillaq Sotës u përmend mbrëmjen e djeshme në media, pas arrestimit të nipit të tij Orest Sota me 800 mijë euro në makinë dhe me dy patenta lundrimi në emër të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Kreu i RENEA-s është shprehur se pas arrestimit të nipit, kjo çështje po kthehet në sulme ndaj tij.