“Masat e sigurisë në Rinas rezultuan jo efikase”. Kështu ka deklaruar Kryeprokurori Adriatik Llala një ditë pas ngjarjes së rëndë ku në mes të ditës, në mes të pistës së avionëve u grabitën mbi 3 milionë euro. Kreu i akuzës ka lënë të kuptohet se zyrtarët e Policisë së Shtetit janë përgjegjësit kryesor të kësaj ngjarje.
Prokurori i Pergjithshem, Adriatik Llalla, ka urdhëruar nisjen e hetimeve për drejtues dhe zyrtarë të Policisë, të cilat janë përgjegjës për zbatimin e masave të shtuara të sigurisë në aeroportin e Rinasit, pas atentateve terroriste në Stamboll. Masat e sigurisë në Rinas rezultuan joefikase dhe kjo u dëshmua gjatë grabitjes së një sasie të konsiderueshme parash neë pistën e fluturimeve. Prokurori i Përgjithshem ka angazhuar drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme për kryerjen e veprimeve te nevojshme hetimore ne kete drejtim.
Ky reagim i numrit 1 të Akuzës vjen në kohën kur Policia e Shtetit e drejtuar nga Haki Çako po përpiqej që fajin t’ia kalojë policisë private. Kujtojmë se një ditë më parë, Policia e Shtetit përmes një komunikate për mediat tha se pjesa e rrethimit të aeroportit nga kanë hyrë grabitësit ruhej me polici private. Gjithashtu edhe paratë ruheshin nga një tjetër polici private, tha Policia e Shtetit, duke u përpjekur ti ikë përgjegjësisë për ngjarjen e rëndë.
Kujtojmë gjithashtu se grabitja ndodhi pikërisht pas ngjarjeve të Stambollit. Komisariati i Rinasit kishte deklaruar se janë shtuar masat e sigurisë pas atentatit të Stambollit, por me sa duket këto masa kanë qenë vetëm me fjalë….