Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shpallur ditën e sotme vendimin për anëtarët e grupit kriminal të përfshirë në super-grabitjen e Rinasit.
Klement Çala është dënuar me 20 vjet burg, ndërsa me nga 17 vjet burg u dënuan 6 të pandehurit e tjerë: Eldi Çala, Oltjon Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkdon Bengasi.
I dyshuar për këtë ngjarje është edhe i shumëkërkuari Talo Çela, por çështja në ngarkim të tij është ndarë pasi vazhdon që të jetë në kërkim nga autoritetet.
Ngjarja ndodhi më 9 prill të vitit 2019, ku u arritën të merreshin rreth 5 milionë euro që po transportoheshin me blinda nga bankat e nivelit të dytë dhe që kishin për destinacion disa vende europiane.
Grupi i grabitësve u futën në aeroportin e Rinasit me një furgon të bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. E gjithë ngjarja ka zgjatur rreth 5 minuta. Të dyshuarit ishin të maskuar me maska silikoni.
Gjatë grabitjes në Rinas u vra edhe Admir Murataj që dyshohet se ka qenë truri i supergrabitjes.