Autori i grabitjes me armë në një pikë këmbimi valutor në zonën e “5 Majit”, Luan Maçi, fillimisht i mohoi akuzat gjatë marrjes në pyetje nga policia, duke pretenduar se nuk kishte lidhje me grabitjen e rreth 300 mijë lekëve.
Megjithatë, hetimet e efektivëve të Komisariatit nr. 4 zbuluan prova të rëndësishme që e implikonin në ngjarje. Në banesën e tij u gjetën rrobat që dyshohet se kishte përdorur gjatë grabitjes, si dhe një brisk rroje të fshehur brenda në lavatriçe.
Përballë këtyre provave, Maçi ndryshoi qëndrim dhe pranoi se ishte ai autori i grabitjes, duke treguar edhe arsyet dhe mënyrën se si e kishte planifikuar. Sipas dëshmisë së tij, grabitja ishte menduar më herët, por ishte shtyrë për shkak të frikës pas një grabitjeje tjetër me armë në një bankë pranë zonës së ish-Parkut.
“Kisha planifikuar ta bëja grabitjen që më përpara, por pas grabitjes me armë në bankën te ish-Parku u frikësova dhe mendova ta shtyja planin për më vonë. Isha i detyruar sepse kam shumë borxhe dhe nënën e kam të sëmurë, në gjendje shumë të rëndë”, ka deklaruar ai para hetuesve.
Mësohet se, menjëherë pas grabitjes, Maçi është larguar me qetësi nga vendngjarja. Fillimisht ka hyrë në këmbë në tregun e Medresesë dhe më pas ka dalë në anën e pasme përmes disa rrugicave.
Gjatë arratisjes, ai ka fshehur pistoletën në një pusetë dhe më pas ka marrë një taksi për t’u kthyer në banesë. Për të shmangur identifikimin, ai ka hequr edhe mjekrën dhe fillimisht u ka thënë policëve se e kishin ngatërruar person.
Gjatë kontrollit iu gjetën vetëm 15 mijë lekë të reja, ndërsa dyshohet se pjesën tjetër të parave e ka përdorur për të shlyer disa borxhe. Megjithatë, sipas burimeve, dëshmia e tij në këtë pjesë paraqet kontradikta.

















