Ka shkuar në tre numri i personave të arrestuar për grabitjen e banesës në fshatin Melçan, Finiq, ngjarje e ndodhur më 29 gusht të këtij viti.
Pas 31-vjeçarit që u arrestua në flagrancë, policia njofton se ka vënë në pranga dhe dy autorët e tjerë të identifikuar me inicialet K. H., 32 vjeç dhe P. Q., 29 vjeç, me banim në Sarandë.
Të arrestuarit akuzohen për “Vjedhje me dhunë” e kryer në bashkëpunim. Më 29 gusht, këta shtetas në bashkëpunim me shtetasin J.G., 31 vjeç, banues në Kolonjë, Gjirokastër, gjatë orëve të natës kanë vjedhur me dhunë banesën e shtetasit Dh.P, ku kanë arritur të marrin një armë gjahu, si dhe një sasi vlere monetare prej 20.000 lekë të reja.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas janë autorë të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura në këtë zonë për të cilat autoritetet po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të tyre./ Opinion.al