Policia e Durrësit ka arritur të zbardhë disa vjedhje të ndodhura më parë në Durrës, Krujë dhe Lezhë dhe ka arrestuar autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve.
Është vënë në pranga Y. K., 37 vjeç, pasi akuzohet se është autori i disa vjedhjeve.
Autoritetet sqarojnë se 37-vjeçari “më datë 31.03.2021, dyshohet se ka vjedhur disa pajisje shtëpiake në banesën e shtetasit S. Ll.”
Po ashtu dyshohet se ka vjedhur një armë gjahu në banesën e shtetasit F. Gj. të cilën e dispononte me leje, si dhe ka grabitur 2 banesa dhe ka tentuar të vjedhë dhe dy banesa të tjera në Lezhë.
Tashmë 37-vjeçari është arrestuar dhe policia nga kontrollet e ushtruara në banesën e tij ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, 7 fishekë dhe vegla pune që dyshohet se i ka vjedhur.
Policia bën me dije se është arrestuar edhe shtetasi P. P., 40 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas, në periudha të ndryshme kohore, në vende të ndryshme në Durrës, dyshohet ka vjedhur 5 biçikleta, në pronësi të shtetasve E. K., F. H., A. A., A. H. dhe H. H.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./Opinion.al