Në tryezën e diskutimit “Vlerësim bazë i Pavarësisë dhe Llogaridhënies së SPAK si parakushte për Garantimin e Performancës dhe Integritetit Institucional”, ambasadori i BE në vendin tonë, Silvio Gonzato ka deklaruar se reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria, sa i përket pavarësisë e llogaridhënies.
Gjatë fjalës së tij, Gonzato deklaroi se reforma ka dhënë gjithashtu kontribut shumë të madh “për ecurinë e mrekullueshme që ka bërë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE”.
Edhe pse ka vlerësuar ndikimin që ka pasur reforma në drejtësi në vend, sipas Gozatos ka ende shumë punë për të bërë.
“Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria, sa i përket pavarësisë, llogaridhënies dhe ka dhënë edhe një kontribut shumë të madh për ecurinë e mrekullueshme që ka bërë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE.
Ka ende shumë punë për të bërë veçanërisht në zbatimin e kësaj reforme. Vazhdojmë të inkurajojmë të gjithë institucionet përkatëse duke përfshirë institucionet e pavarura të drejtësisë të vazhdojnë të punojnë duke pasur këtë synim në mendje”, tha Gonzato.