Qeveria sjell në Kuvend 5 projekt-ligje e tjera të Paketës Anti- KCK. Mësohet se menaxhimi i aseteve do të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar, miratohet në Kuvend javën tjetër. Ndryshon ligji për Policinë, Antimafia, menaxhimi i aseteve të sekuestruara, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale.
Lidhur me paketën “Anti-KÇK”, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nga Kuvendi se krimi i organizuar do të goditet si asnjëherë më parë. Rama tha gjithashtu se sot do t’i jepet kompetencë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të nisë menjëherë hetimin për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.
Sipas kreut të qeverisë, të gjithë këta prokurorë dhe gjyqtarë do verifikohen për figurën dhe pastërtinë, për të shkuar më tej te pezullimi dhe hapja e proceseve penale ndaj tyre, e deri te burgosja.
“Me vetë KCK, organizatën kriminale, është fakt se në këtë fazë, ku Reforma në drejtësi, po vazhdon të zbatohet dhe ku Vettingu po vazhdon të pastrojë lumin nga pallati i drejtësisë, një pjesë jo e vogël e llumit, gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar, që s’kanë asnjë shans të kalojnë vetitngun, kanë hyrë në fazën e fundit të karrierës së tyre të shkurtuar nga Reforma në drejtësi, të cilës po iu vjen fundi, me një përshpejtim marramendës të aktivitetit të tyre kriminal. Opinioni publik duhet të përballet me “aksidente” të përplasjes mes ligjit, që thyhet, përballë makinerisë së krimit dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë, që nxjerr vendime, që realisht dëshpërojnë dhe synojnë gjunjëzimin e opinionit publik, vendime të tmerrshme, që nga ato që janë bërë publike, te të tjera që s’janë bërë publike. Që nga lirimi i të dënuarve me burgim të përjetshëm në mënyrën më spektakolare të shkeljes së ligjit nga vetë gjykatësit deri te tjetërsimet spektakolare të pronave në zonën e bregdetit. për këtë, ne kemi vendosur të ndërmarrim një ofensivë shembullore, si asnjëherë më parë, në të dyja anët e medaljes. Në anën që është pasqyrë e financimit të krimit të organizuar, dhe në anën e mbrojtjes së krimit. Sot i vjen fundit pafuqisë ligjore për të reaguar në mënyrë urgjente ndaj atyre që do të guxojnë të vazhdojnë të përdorin çekiçin e drejtësisë nën tokën e gjykatësit për të ndërmarrë akte kriminale ndaj ligjit, drejtësisë dhe shoqërisë. Sot ne i japim një fuqi të re ILD, duke i dhënë mundësi ILD të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve haptazi korruptive dhe kriminale të gjykatësve, duke kërkuar pezullimin e tyre nga detyra brenda 3 ditëve. Sot ne i japim ILD instrumentin e pezullimit të menjëhershëm, duke i hapur rrugë hetimit të menjëhershëm të gjykatësve në fjalë. Nëse ata mendojnë se do kapin ç’të kapin, derisa t’iu vijë vettingu, do iu bëhet më keq se Vettingu, që do të thotë menjëherë verifikim i figurës dhe pasurisë. Gjithashtu, menjëherë hapjen e procesit penal dhe dërgimin pas hekurave, bashkë me shokët. Nuk do të ketë më lojë ‘macja dhe miu’, dhe ku në këtë lojë opinioni publik nuk di më çfarë të besojë”, tha Rama./ Opinion.al