Tre persona që lundronin me një peshkarexhë në Durrës janë shpëtuar nga mbytja, pasi peshkarexha iu fundos në det.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në mesnatë rreth orës 00:05, kur u dha alarmi SOS. QNOD ka njoftuar Policinë Kufitare të Portit të Durrësit, se 3 persona që ndodheshin në një peshkarexhë, kërkonin ndihmë pasi rrezikonin të mbyteshin në det.
Menjëherë në ndihmë të tyre është nisur Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare.
Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të portit të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha iu ishte fundosur në det.
Punonjësit e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë, kapitenin, shtetasin S. A., 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit, shtetasit K. K., 30 vjeç dhe M. E., 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para dyshohet se motopeshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.