Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për presidentin e Turbinës së Cërrikut, Gentian Gjoka, për veprën penale armëmbajtje pa leje. E njëjta masë është dhënë për Gjokën edhe nga Gjykata e Vlorës për akuzën e mashtrimit.
Presidenti i ekipit të futbollit të Cërrikut u arrestua mbrëmjen e 19 dhjetorit në zonën e ish-Bllokut pasi nga kontrolli në banesë iu gjet një pistoletë me një krëhër me fishekë. Operacioni sipas policisë u bë pas informacioneve nga qytetarët se një person në kërkim qarkullonte me armë zjarri.
Megjithëse ai ishte shpallur në kërkim për llogari të policisë së Vlorës dhe vijonte të qarkullonte lirshëm dhe me armë në kryeqytet, gjykata vendosi të mos e linte në qeli Gjokën. Sipas ndryshimeve të reja në Kodin Penal, akuza e armëmbajtjes pa leje dënohet me 7 deri në 15 vite burg. /Opinion.al