Presidenti i SHBA Donald Trump shkeli kushtetutën kur bllokoi nga llogaria e tij në Twitter njerëzit, pikëpamjet e të cilëve nuk i pëlqenin. Ky është vendimi që u mor të martë nga një gjykate federale e apelit në SHBA.
Në një vendim 3-0, Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Manhatan tha se Amendamenti i Parë ndalon Trump të përdorë funksionin e “bllokimit” të Twitter-it për të kufizuar ata që mund të angazhohen në llogarinë e tij, e cila ka 61.8 milionë ndjekës.
“Amendamenti i Parë nuk lejon një zyrtar publik që shfrytëzon një llogari të mediave sociale për të gjitha llojet e qëllimeve zyrtare për të përjashtuar personat nga një dialog i hapur në internet, sepse ata shprehën pikëpamjet me të cilat zyrtari nuk pajtohet,” shkruan gjykatësi Barrington D. Parker në emër të kolegjit prej tre gjyqtarësh.
“Ironia në gjithë këtë është se ne shkruajmë në një kohë në historinë e këtij kombi kur sjellja e qeverisë sonë dhe zyrtarëve të saj është subjekt i një debati të hapur dhe të fuqishëm”, shtoi ai duke cituar disa shembuj të Gjykatës Supreme.
Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara tha se zyrtarët ishin “të zhgënjyer” me vendimin e së martës. Ajo shtoi se departamenti është “duke menduar për hapat e tjerë të mundshëm”.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar menjëherë rastin. Drejtori i medias sociale i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino është gjithashtu i pandehur. Twitter nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm. /Opinion.al