Gjykata Supreme e Rusisë e ka shpallur “ekstremiste” lëvizjen LGBT, një vendim i cili, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, do t’ia mundësojë vendit t’i luftojë edhe më shumë homoseksualët dhe transgjinorët.
Pas një seance me dyer të mbyllura, gjykata tha më 30 nëntor se e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ta quajtur ekstremiste “lëvizjen ndërkombëtare LGBT”, duke ia ndaluar aktivitetet në Rusi.
Grupet ruse për të drejtat e njeriut i kishin kërkuar gjykatës ta hidhte poshtë kërkesën e Ministrisë, duke thënë se “është e pamundur ta quash një grup njerëzish ‘lëvizje shoqërore’ thjesht sepse ata i takojnë një grupi shoqëror, apo sepse ata janë të bashkuar nga disa karakteristika personale”.
Ky vendim është më i fundit në një sërë vendimesh kundër të drejtave të LGBT-së në Rusi.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e vazhdoi një ligj të vitit 2013, i cili e ndalon përhapjen e “propagandës homoseksuale” tek fëmijët, përfshirë tek njerëzit e të gjitha moshave.
“Ky vendi i turpshëm dhe absurd përfaqëson një front të ri në fushatën e autoriteteve ruse kundër komunitetit LGBTI”, tha Marie Struthers, drejtoreshë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Amnesty International.
“Vendimi rrezikon të ketë për pasojë ndalimin e të gjitha organizatave LGBTI, me shkelje shumë më të mëdha të lirisë së shprehjes dhe grumbullimit të lirë dhe paqësor, si dhe të të drejtës për të mos qenë i diskriminuar. Do të ketë ndikim ndaj shumë njerëzve”, shtoi ajo.
Ligji rus ua ndalon qytetarëve dhe organizatat t’i mbështesin apo promovojnë organizatat ekstremiste, përfshirë shpalosjen e simboleve të tyre online. Ndëshkimet nisin nga gjoba deri te dënimi me burg.
Ekspertët thonë se Putini po i sulmon LGBT dhe minoritetet e tjera për ta kënaqur bazën e vet konservatore para zgjedhjeve presidenciale në mars./REL