Gjykatësi i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara në Hagë, Nicolas Guillou, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin me kusht të ish-eprorit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Në vendimin i cili është publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara ndër arsyet e refuzimit përmendet “pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, që i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do lehtësojnë çdo përpjekje për të ikur; pengojnë procedurat përmes ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë, ose të kryejë krime të mëtejshme”.
Mustafa, në kohën e fundit, ka qenë zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.
Ai në paraqitjen e parë para gjykatësit të procedurës paraprake u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në kërkesën për lirimin me kusht nga paraburgimi mbrojtja e Mustafës kishte paraqitur si arsye faktin se Mustafa “banon në Kosovë dhe dëshiron të rifillojë punën e tij aktuale”, pastaj që ai është “paraqitur vullnetarisht për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe se i njëjti do të dorëzojë vullnetarisht pasaportën e tij dhe do të paraqitet pranë Dhomave të Specializuara sipas kërkesës”.
Ndërsa prokuroria në kundërshtimin e saj ka thënë se “pas dorëzimit të materialit mbështetës të aktakuzës, tek Mustafa është rritur nxitja për të ikur sepse tash është i vetëjdishëm për mundësitë konkrete të dënimit, dhe se rreziku nga ikja është më e madhe marrë parasysh numrin e kufizuar të shteteve me cilat Kosova ka marrëveshje për ekstradim”.
Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian. Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.