Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në mbledhjen e sotme pranoi të shqyrtojë dhe kandidaturën e Zhaklina Petos për anëtare në Gjykatën Kushtetuese, por Peto vendosi të tërhiqet nga gara.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019, në unanimitet vendosi:
Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, së kandidaturës së Zj. Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese”, shkruan KED në njoftim.
Peto është skualifikuar 2 herë nga KED në garën për Kushtetuesen por u rikthye sërish nga Gjykata Administrative e Apelit.
Pasditen e sotme, Presidenti Ilir Meta ka emëruar gjyqtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, Përparim Kalon. Ndërkohë që në garën për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese ka mbetur vetëm 1 kandidate, Sonila Bejtja./ Opinion.al