Aktualitet

Gjykata Kushtetuese publikon përbërjen në faqen zyrtare


               Publikuar në : 21:24 - 19/11/19 |
Al Do

Faqja zyrtare e Gjykatës Kushtetuese ka publikuar sot përbërjen e saj, mënyra si zgjidhen anëtarët dhe kriteret që duhet të përmbushin.

Sipas saj, 5 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë: Vitore Tusha, Besnik Muçi, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.

Prej disa kohësh, faqja zyrtare e Gjykatës Kushtetuese ishte jashtë funksioni por me plotësimin e disa vakancave ajo është bërë sërish aktive.

Pjesë e anëtarëve të Kushtetueses nuk është Arta Vorpsi e cila pretendohet nga Kuvendi dhe KED se i takon mandati por Marsida Xhaferllari e cila u dekretua për këtë detyrë nga Presidenti Ilir Meta.

Ngërçi për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ka sjellë një përplasje të fortë mes Institucionit të Presidentit dhe mazhorancës, e cila ka kulmuar me një padi penale nga ana e Presidentit për kreun e KED, Ardian Dvorani të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe se ka përfaqësuar interesat e Partisë Socialiste.

Kryeministri Rama e ka cilësuar Presidentin si një ‘taleban’ dhe i ka bërë thirrje Këshillit të Posaçëm që është ngritur në Kuvend që të marrë parasysh këtë veprim të tij si një shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Megjithatë, organi gjyqësor më i lartë në vend është shprehur vetë në njëfarë mënyre për përbërjen e tij duke konsideruar Marsida Xhaferllarin si të emëruarën legjitime. /Opinion.al

Pas