Aktualitet

Gjykata gjermane pro ekstradimit, Arbër Çekaj apelon vendimin


               Publikuar në : 18:43 - 23/08/19 |
Al Do

Autoritetet gjermane i kanë hapur rrugë ekstradimit të Arbër Çekajt në Shqipëri. Pronari i kontenierit të bananeve ku u gjetën 613 kilogramë kokainë është ndaluar në Gjermani rreth 18 muaj më parë. Pas përpjekjeve të shumta nga ana e tij për të mos u ekstraduar, bëhet e ditur se gjykata penale e Dusseldorfit ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradim.

Vendimi është dhënë 20 ditë më parë por mësohet se Çekaj e ka apeluar atë dhe tashmë do të pritet për vendimin e Gjykatës së Apelit. Pronari i kompanisë “Arbi Garden” ka kërkuar të mos ekstradohet pasi pretendon se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Ai ka dorëzuar gjithashtu kërkesën për azil politik në Gjermani e cila është ende në shqyrtim e sipër. Pra deri në daljen e një vendimi për statusin e azilantit nuk mund të parashikohet një datë konkrete se kur mund të ekstradohet në Shqipëri Arbër Çekaj.

I cilësuar si “peshku i madh” i kokainës nga ish-ambasadori amerikan Donald Lu, Çekaj akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik të lënëve narkotike e kryer në bashkëpunim. Droga e kapur në kontenierët me banane vinte nga Kolumbia dhe është sasia më e madhe e kokainës e kapur deri më sot në territorin shqiptar. Vlera e saj përllogaritej rreth 180 milionë euro.

Në pranga për këtë ngjarje është menaxheri i kompanisë “Arbi Garden”, Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, shoferi i kamionit që transportoi kontenierët me banane. Procesi gjyqësor në gjykatën për Krime të Rënda pritet të rifillojë në shtator, pasi më herët nuk u bë i mundur njoftimi i biznesmenit të pandehur. /Opinion.al

Pas