Aktualitet

Gjykata e Lartë, KLGJ voton pro një nga versionet e Euralius


               Publikuar në : 15:30 - 23/07/19 |
Geljano Fataj

Teksa mungesa e Gjykatës së Lartë është një situatë alarmante, KLGJ ka vendosur këtë të martë unanimisht të operojë me caktim e gjyqtarëve nga gjykatat më të ulëta në Gjykatën e Lartë për çështje të caktuara gjyqësore.

Sipas nënkryetarit të këtij institucioni, mosfunksionaliteti i Gjykatës së Lartë prej muajsh tashmë mund të sjellë një rëndim të situatës mbi Buxhetin e Shtetit. Kjo sipas Maks Qokut lidhet me mundësinë e çuarjes së dosjeve në Strasburg.

Problematikë është shqyrtimi mbi kompetencat mes gjykatave; Pamundësia e shqyrtimit të çështjeve civile me objekt rekursi persa i përket sidomos ankimeve të individit, por edhe ankimeve të shtetit që dëmtojnë buxhetin e shtetit. Problematikë është edhe “eksodi” i çështjeve që mund të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut ne rast mos funksionimi vazhdues të Gjykatës së Lartë”, u shpreh Qoku.

Por cila mund të jetë zgjedhja? Nënkryetari i KLGJ, Maks Qoku thekson se zgjidhja është ndërhyrja emergjente për plotësimin e trupës me të paktën anëtarët jo gjyqtarë. Por edhe kjo zgjidhje do të kërkojë të paktën tre muaj, e për këtë arsye nënkryetari Qoku parashtroi edhe një zgjidhje alternative që është delegimi i përkohshëm i anëtarëve të Gjykatave më të ulëta në Gjykatën e Lartë, deri në vendosjen në shinat e funksionaliteti të Gjykatës së Lartë, një formulë e vënë në dukje muaj më parë edhe nga Euralius.

Ky propozim u miratua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Këtë të mërkurë është afati i fundit i personave, jo gjyqtarë, të interesuar për të kandiduar për Gjykatën e Lartë./ Opinion.al

Pas