Gjatë kontrolleve të Policisë Rrugore në 24 orët e fundit janë arrestuar 17 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Po ashtu, 3 drejtues mjetesh kanë rënë në pranga për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi kanë tentuar që të korruptojnë efektivët. 2 prej tyre janë arrestuar nga Policia Rrugore e Tiranës dhe 1 nga Policia Rrugore e Lezhës.
Gjatë 24 orëve janë gjobitur 1789 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si parakalime e manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo pa leje drejtimi.
Gjithashtu janë pezulluar 35 leje drejtimi, nga të cilat 26 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionte nga 78 km/h në qendrat e banuara deri në 179 km/h në rrugën interurbane Vlorë-Fier, dhe 9 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit./ Opinion.al