Qytetarët në mediat sociale kanë nisur të vënë në lojë Bashkinë e Tiranës në lidhje me gjobën që ajo i ka vënë Partisë Demokratike, për dëmet e shkaktuara gjatë protestës së opozitës. Shkak është bërë shuma finale e zërave që përbëjnë gjobën, e cila është përllogaritur gabim nga Bashkia e Tiranës. Totalin, kjo e fundit e ka vlerësuar në mbi 160 milionë lekë, ndërsa qytetarët kanë marrë makinën llogaritëse në dorë duke korriguar Bashkinë. Shuma e saktë është mbi 190 milionë lekë. Ka nga ata që ia faturojnë gafën paaftësisë së militantëve të punësuar në Bashkinë e kryeqytetit. Ndërsa të tjerët ironizojnë duke shpjeguar se bëhet fjalë për një skonto që, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj, i ka bërë PD-së me rastin e festave të fundvitit.