Anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte në vitet 2020-2021 mes Kolumbisë dhe Europës, kanë dalë sot, 27 korrik, në GJKKO për masat e sigurisë. Mes tyre Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj, të cilët janë nën hetim edhe për dosjen “Plumbi i Artë”.
Siç raportohet, janë konfirmuar masat e sigurisë “arrest me burg” ndaj pesë personave, ndërsa është liruar shtetasi Ilir Lloshi, pasi rezulton se është vënë në pranga gabimisht. Kjo pasi ai kishte gjeneralitete dhe vendbanim të ngjashëm me një tjetër person të dyshuar si pjesë e grupit kriminal.
SPAK njoftoi dje, 26 korrik, se si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar 6 ton lëndë narkotike (kokainë e kanabis) me një vlerë në treg prej 411 milionë eurosh.
“Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim: A. H, K. H, E.N, E. A, P. D, I. Ll. Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë. Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shumë monetare (43 mijë euro), karta banke, automjete (një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan), tre pistoleta, celularë, karta banke, dornë, hard disqe, si dhe një skaf luksoz.
Në dorën e SPAK kanë rënë edhe dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama. /tvklan.al